Aplikacion
Ndërsa kryetarja dhe kabineti i saj do të përfitojnë rritje të ndjeshme pagash, krahasuar me punonjësit e nivelit bazë, këshilltarët e opozitës braktisën mbledhjen, duke e cilësuar vendimin si të padrejtë dhe të papërshtatshëm, veçanërisht kur në port qëndron anija me mbetje toksike.
“Nëse do kishim një ndarje të drejtë nuk do ishim sot në diskutimin që kemi lekë sot për pensionistët apo jo”, ka thënë Dritan Burgjia, kryetar i grupit të këshilltarëve demokratë.
Me këtë vendim Kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, rriti pagën e saj me 56,7 %, duke e çuar atë nga 1 milion e 850 mijë lekë në 2 milion e 900 mijë lekë të vjetra në muaj. Rritje me 40,6 % u bë edhe për tre zv.kryetarët e saj, Renis Mullaj, Elio Jani dhe Gentian Kallmi, të cilët që nga data 1 shtator, sipas vendimit, do të paguhen 2 milion e 250 mijë lekë të vjetra, nga 1 milion e 600 mijë lekë që merrnin më parë. 55,6 % është rritur paga për sekretarin e përgjithshëm të bashkisë.
“Na u propozua rritja e rrogës së kryerës së bashkisë me 57 %. Ndërkohë kemi dhe rritjen e pagave të nëpunësve të ulët, si sanitare, shoferë, roje, magazinier me një shumë qesharake“, tha Anisa Ibraj, këshilltare bashkiake e PL-së.
Në përqindje të njëjtë me pagën e kryetares së bashkisë është rritur edhe pagesa mujore për këshilltarët bashkiakë, nga 185 mijë lekë të vjetra në 290 mijë lekë. Për drejtorët e drejtorive, rritja është në masën 55 %. Rritjen më të madhe e ka përfituar drejtuesja e kabinetit me 86,7 %, si dhe këshilltari i kryetares së bashkisë dhe zëdhënësi i institucionit me 90.8 % rritje, duke u ngritur në nivelin e drejtorit të drejtorisë. Rritjet në nivelet e tjera variojnë, por jo në të njëjtin nivel. Për specialistët në aparatin e bashkisë, rritja është 14.3%.
“Qytetarë që aplikojnë çdo muaj për ndihmë ekonomike dhe për çfarë? Për një ndihmë qesharake 22 mijë lekë të vjetra”, tha më tej Dritan Burgjia, kryetar i grupit të këshilltarëve demokratë.
Ndërkaq për strukturat në varësi të bashkisë që kanë funksione ligjzbatuese dhe shërbimesh rritja për inspektorë dhe specialistë është më e ulët.
Për kryeinspektorin e Mbrojtjes së Territorit paga rritet me 49,4 %, ndërsa për vartësit e tij vetëm 7 %, ose 50 mijë lekë më shumë se deri tani. Diferenca më të vogla ka dhe në sektorë të tjerë si Tregu Agro-Bujqësor dhe Qendra Ekonomike e Arsimit, ndërsa për specialistët e sektorit mbështetës të stacionit zjarrfikës nuk do të ketë rritje page. Po ashtu kritike është rritja e pagave mujore për magazinierë, shoferë, roje, pastrues dhe punonjës të tjerë administrativë, paga e të cilëve varionte nga 400 mijë-470 mijë lekë të vjetra në muaj dhe tani unifikohet në 470 mijë për të gjithë.
Rritja e pagave në nivele të ndryshme të administratës bashkiake në Durrës ka thelluar kontrastin mes të zgjedhurve, funksionarëve të lartë dhe punonjësve të shërbimeve bazë, duke nxitur debat mbi përparësitë e vendimmarrjes, veçanërisht në kohë krizash si ajo e mbetjeve toksike në port, ndërsa këshilltarët e opozitës nuk kanë pritshmëri nga institucioni i prefektit të qarkut. /Top Channel