zoom

Aktualitet

231 km/h! Çmenduri në Bypass-in e Fierit, arrestohet polaku me Ferrari

Fier – Është përsëritur shpejtësia e çmendur në Bypass-in e Fierit. Pas Lamborghini e BMW që u ndaluan disa ditë më parë me shpejtësi tej normave duke bërë gara, së fundmi një Ferrari është ndaluar, teksa udhëtonte me 231 km/h.

Policia njofton se ka arrestuar T. S., 50 vjeç, nga Polonia, ndërsa Ferrari me targa gjermane është dërguar në pikën e bllokimit.

Nga verifikimet e kryera në bashkëpunim me Interpolin ka rezultuar se ky automjet është i shpallur në kërkim në Gjermani, për mungesë siguracioni. Gjithashtu, leja e drejtimit që ky shtetas i paraqiti punonjësve të Policisë, ishte e falsifikuar.

Pas arrestimit, për këtë shtetas u vendos edhe masa administrative 80.000 lekë të rinj, për tejkalim të normave të shpejtësisë dhe mungesë siguracioni. Automjeti tip “Ferrari” u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.