zoom

Blog

Vila, vota dhe ngjalat

Nga Klodian Tomorri

Vila, vota dhe ngjalat

Dosja e SPAK thotë që biznesmeni Samir Mane dyshohet se korruptoi Monika Kryemadhin dhe Ilir Metën me premtimin e një vile për të kaluar një ligj minierash në Parlament.

Ky është pretendimi i prokurorëve, pasi si kompania e Manes, ashtu dhe zonja Kryemadhi thonë se vila do blihej, por më vonë ajo ndërroi mendje.

Por të marrim faktet, pavarësisht pretendimeve të palëve.

E para, sipas asaj që shkruan BIRN, ligji nuk rezulton korruptiv. Sipas dosjes së SPAK, kompania kishte kërkuar ndryshimin e ligjit për të shmangur përgjegjësitë teknike nga kalimet e subjekteve të tjera në galeritë e Albchrome. Kjo është gjëja me e drejtë dhe më normale.

E dyta, ligjin në Parlament nuk e ka propozuar as Kryemadhi, as Meta dhe as LSI-ja. Atë e ka propozuar deputetja e Partisë Socialiste, Esmeralda Shkjau.

E treta, ligji është votuar nga të gjithë deputetët e mazhorancës së asaj kohe. Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta me partinë e tyre kanë dhënë 19 vota apo nuk e di sa kishin, kurse Edi Rama me të tijtë kanë dhënë 60 e ca vota.

Pra,
1-Ligji nuk është korruptiv.

2-Ligjin nuk e ka propozuar LSI, por Partia Socialiste dhe shumë mirë ka bërë.

3-Meta dhe Kryemadhi nuk e kanë marrë vilën, që sipas SPAK ishte rryshfet, por që sipas palëve do të shitej me para dhe blerësi ndërroi mendje.

4-Miqësia mes familjes së Metës dhe Samir Manes nuk janë vepër penale. Këta kanë të drejtë të jenë miq familjarë, të qerasin njëri-tjetrin me dreka, darka, bileta koncertesh dhe çfarë të duan, për sa kohë vendimarrja e Metës nga pozitat e funksionarit publik nuk i jep favore biznesmenit në kurriz të interesit publik.

Tani pasojat;

1-Buxhetit dhe qytetarëve nuk u është vjedhur asnjë qindarkë nga ligji i minierave.

2-Punëtorëve në miniera nuk u janë përkeqësuar kushtet e punës. Përkundrazi.

3-Shteti nuk ka humbur asnjë taksë, apo aset publik si pasojë e këtij ligji.

4-Atëherë, cili është veprimi i dyshuar korruptiv i Ilir Metës dhe Monikës? Në finale, atyre u është ngritur akuzë për votën e tyre pro ligjit në Parlament, ashtu si 76 apo 78 deputetë të tjerë të mazhorancës. Këtë kanë klasifikuar prokurorët si veprim korruptiv. (Kodi penal thotë: Kërkimi ose marrja i çdo lloj përfitimi të parregullt apo i një premtimi të tillë nga funksionari i lartë shtetëror, për të kryer ose mos kryer një veprim që lidhet me detyrën a funksionin e tij…) Në finale, veprimi këtu është vota në Parlament.

Unë nuk di ta them nëse kjo gjë klasifikohet si korrupsion. Për mua nuk është korrupsion kurrë, por unë nuk jam jurist dhe këtë e vendos gjykata. Por nëse do ta klasifikojë si korrupsion, si ky lloj korrupsioni paçim gjithmonë ishalla.

Ah po. Ilir Meta mund t’i ketë hak këto që po paguan. Por jo për votën e ligjit të minierave. I ka hak për një tjetër veprim. Për ngjalat që hëngri në Lalëz. Sepse aty u ngjiz çdo gjë. Inceneratori, koncesionet në shëndetësi, miliardat që vidhen tek AKSHI, shkatërrimi i opozitës, rrugët me 20 milionë euro kilometri, 5D-ja dhe mbi të gjitha, veshja e krimit të organizuar me pushtet politik në majën e shtetit.

Të gjitha aty u ngjizën këto dhe pa Ilir Metën ndoshta nuk do të ngjizeshin dot asnjëherë.