zoom

Lajme

Meta, politikani kyç i 35 viteve në qeli! Ndryshoi krah 4 herë, histori me miq të kthyer në armiq

Një makinë civile, e mbushur me forca speciale të policisë, i preu rrugën fuoristradës në të cilën udhëtonte ish-presidenti Ilir Meta në hyrje të Tiranës. Pamjet e shfaqura në një video që qarkulloi në rrjet tregojnë se si një nga tre personat më të rëndësishëm të historisë së vendit në 35 vitet e fundit, u nxorr me forcë nga automjeti nga sedilja e përparme e pasagjerit dhe u rrëzua në gjunjë para se të dërgohej në një makinë tjetër. Arrestimi i tij shkaktoi sakaq një stuhi politike me opozitën që akuzoi SPAK se ka vepruar politikisht.

Njoftimi i SPAK për arrestimin e tij bën të ditur se ai akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash në të tre rastet. Në rastin e parë akuzohet për çështjen CEZ-DIA, ndërsa në rastin e dytë se ka ndërhyrë në favor të një kompanie komunikimi për të lidhur kontratë interkonjeksioni, gjatë kohës kur ishte kryetar i Kuvendit në aleancë me PS. Në rastin e tretë, akuzohet se ka përfituar përkohësisht një vilë nga marrëdhëniet korruptive me “biznesmenin S.M.”

Meta është gjithashtu politikani që ka ndërruar krah politik katër herë, në një histori të mbushur me miq të kthyer në armiq të betuar dhe anasjelltas.

I lindur në vitin 1969, Meta u bë zëvendëskryeministër në vitin 1998, kryeministër në vitin 1999 dhe ministër i jashtëm në vitin 2002, në emër të Partisë Socialiste. Ai ishte kryeministër në kohën e zgjedhjeve të vitit 2001, një palë zgjedhje të konsideruar gjerësisht si të manipuluara.

Qeverisja e tij si kryeministër u shoqërua me një situatë konflikti politik ekstrem. Partia Demokratike në opozitë në atë kohë, organizonte protesta të përditshme. Në një rast, policia arresoi kreun e saj, Sali Berishën.

Ish-kryetari i PS Fatos Nano e akuzoi Metën menjëherë pas zgjedhjeve kontroverse të vitit 2001 se ai e drejtonte shtetin “si një fashist, me lidhje direkte nga zyra e kryeministrit te agjencitë e tjera si policia e prokuroria”.  Nano e akuzoi atë gjithashtu për nepotizëm, duke sugjeruar se të qenit nga Skrapari, zona që në atë kohë ishte zona elektorale e Metës, të jepte mundësinë të ngriheshe në poste të larta qeverisëse. Një sherr masiv mes socialistëve u zhvillua në vitin 2002 me një situatë melodramatike në një takim të hapur për publikun të njohur si Këshilli i Përgjithshëm Kombëtar, ku palët akuzuan njëri-tjetrin për gjithëfarëlloj krimesh, politike, morale dhe penale.

Meta doli i humbur nga përplasja brenda partisë me Nanon dhe krijoi një parti të re të quajtur Lëvizja Socialiste për Integrim në vitin 2004. Një vit më vonë, në zgjedhje, ai ra në opozitë bashkë me Partinë Socialiste. Ai gjithsesi bashkëpunoi me socialistët në zgjedhjet për pushtetin vendor të vitit 2007, duke nxjerrë kandidatë të përbashkët.

Në vitin 2008, Meta hyri në grevë urie në një përpjekje finale për të bllokuar paktin famëkeq mes Sali Berishës, në atë kohë kryeministër, dhe Edi Ramës, kryetar të PS-së, për reformën elektorale. Parë gjerësisht si një kompromis anti-Metë, sistemi elektoral që vijon të qeverisë vendin edhe sot me anë të listave të mbyllura ose përgjithësisht të mbyllura, konsiderohet se ka shkatërruar themelet e parlamentarizmit, duke fuqizuar kryetarët e partive dhe duke e kthyer parlamentin në një institucion të dobët dhe të pafuqishëm për të kryer rolin e vet kushtetues, kontrollin e ekzekutivit.

Në zgjedhjet e vitit 2009, Meta nuk u mendua dy herë që të kapërcejë ylberin duke bërë aleancë me partinë e djathtë të Berishës. Mes viteve 2009 dhe 2013, Meta mori një pjesë të qeverisjes ndërsa vendi u zhyt sërish në kaos kur, në fund të vitit 2010, një video e regjistruar nga ish-bashkëpunëtori i tij Dritan Prifti, e shfaqi atë duke diskutuar për korrupsion dhe ushtrim të paligjshëm në sistemin e drejtësisë.

Në 21 janar 2011, Partia Socialiste, duke shfrytëzuar zemërimin e krijuar nga transmetimi i videos Meta-Prifti, doli në prostesta të dhunshme. Qeveria iu përgjigj dhunës me dhunë, duke shkaktuar vdekjen e katër protestuesve. Meta iu përgjigj Ramës pas protestave duke e cilësuar atë si “kokëpalar.”

Mes viteve 2009 dhe 2013, besohet gjerësisht se Meta arriti të kontrollojë rreth 20% të qeverisjes së vendit, ku përfshihej politika e votave në këmbim të vendeve të punës, pavarësisht se ai kontribuonte në maxhorancën qeverisëse me katër deputetë.

Ashpërsia e konfliktit politik nuk pengoi gjithsesi Metën dhe Ramën që vetëm dy vjet më vonë, para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, të bënin aleancë parazgjedhore sëbashku. Një shenjë e sasisë të stërmadhe të korrupsionit elektoral të angazhuar në ato zgjedhje mund të dallohet te një deklaratë e asaj kohe nga Kisha Katolike, e cila njoftoi se disponon informacione për persona që ofrojnë para për të blerë vota.

Tensioni mes ish-aleatëve PD dhe LSI u shfaq në ditën e zgjedhjeve, në Laç, Gjon Gjoni, një aktivist i LSI u vra ndërsa Mhill Fufi, një kandidat i PD për deputet dhe më vonë deputet, u plagos. Vrasja e Gjon Gjonit mbetet edhe sot e kësaj dite pa autor të identifikuar.

Meta besohet se e rriti përqindjen e pushtetit të vet gjatë qeverisjes me Ramën në 40% pasi në zgjedhjet e vitit 2013 arriti të marrë 16 deputetë. Pas zgjedhjeve, grupi i tij parlamentar u shtua me blerje deputetësh nga opozita, kryesisht, Partia Republikane.

Të dyja mandatet, ai 2009-2013 në aleancë me PD-në dhe  ai 2013-2017 në aleancë me PS-në, u shoqëruan me akuza të rënda për korrupsion. Në vitin 2015, një seri investigimesh nga BIRN zbuluan atë që më vonë u quajt “skandali CEZ-DIA” ndërsa Tom Doshi, në atë kohë, deputet i Partisë Socialiste, deklaroi se kishte dëshminë e një vrasësi me pagesë që i thoshte se Ilir Meta kishte bërë plan ta vriste atë. PS dhe LSI garuan së bashku në zgjedhjet për pushtetin vendor të vitit 2015 por ndërkohë PS tërhoqi pranë vetes një numër deputetësh të opozitës të cilët i përkisnin Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe që ishin zgjedhur si pjesë e koalicionit të udhëhequr nga Partia Demokratike.

Në korrik 2016, Meta mbajti një konferencë të tensionuar për shtyp në të cilën deklaroi se kishte informacione për një komplot që synonte arrestimin e tij. Në shtator të atij viti, Partia Socialiste fitoi zgjedhjet e parakohshme në Dibër me angazhimin e asaj që u njoh si Dega e PDIU në këtë qark. Rrjedhjet në media nga një hetim i prokurorisë në atë kohë zbuluan blerje masive votash dhe funksionimin e PS-së dhe PDIU-së si një grup i strukturuar kriminal.

Meta dhe Rama u ndanë përfundimisht në vitin 2017, kur Partia Socialiste garoi e vetme dhe fitoi e vetme zgjedhjet, mes akuzave për lidhje me krimin e organizuar, abuzime masive me pushtetin dhe blerje votash.

Gjithsesi, pak më shumë se një muaj para zgjedhjeve, Partia Socialiste i ofroi Metës mandatin e presidentit të Republikës, mandat që ai e pranoi.  Nga presidenca, Meta kërcënoi në një rast se do të “armatoste popullin” pas një incidenti në të cilin një mbështetës i tij u rrah. Ai gjithsesi doli me 18 mandate deputetësh nga zgjedhjet, të cilat i humbi dy vjet më vonë kur opozita vendosi “të djegë” mandatet e saj.

Gjatë kohës që ai ishte në Presidencë, koalicioni i politikanëve vendorë që më herët përbënin Lëvizjen Socialiste për Integrim u shpërbë për shkak se shumica dërrmuese e këtyre figurave, të përfolur për organzimin e makinerive elektorale të mbështetura në korrupsion dhe blerje votash, ndërruan krah duke kaluar te Partia Socialiste. Në zgjedhjet e vitit 2021, Partia Socialiste nuk e fshehu planin e saj për të “kafshuar nga molla e LSI” si rruga për sigurimin e fitores. Gjithsesi, të dhënat e rezultateve elektorale të atij viti sugjerojnë se blerjet nga LSI nuk e ndihmuan aq shumë PS-në sa e ndihmuan aleatët e saj nga PDIU, një numër politikanësh, kryesori i të cilëve, Aqif Rakipi, u sanksionua nga Shtetet e Bashkuara për përfshirje në korrupsion madhor.

Në mars 2021, pasi u kuptua që Lefter Koka, deputet i Durrësit, do të kalonte në radhët e Partisë Socialiste, LSI e denoncoi atë për korrupsion dhe pastrim parash në rastin e incineratorëve. Skandali i incineratorëve ishte denoncuar sakaq shumë herë nga opozita dhe nga grupime të ndryshme, por zbulimi nga LSI i skemave të qarkullimit të parave nga kompanitë e incineratorëve te një rrjet kompanish fantazmë të kontrolluara në instancë finale nga Koka, ishte ajo që duket se i vuri vulën.

Në dhjetor të atij viti, SPAK e arrestoi Kokën.

Lëvizja Socialiste për Integrim arriti të fitojë vetëm 4 mandate në zgjedhjet e vitit 2021, ndërsa një prej tyre, Agron Çela, sakaq është zhvendosur drejt PS.

Meta nisi një proces divorci nga bashkëshortja, deputetja Monika Kryemadhi më herët këtë vit, dhe deklaroi se divorci po bëhej për “arsye politike”. Gjatë kësaj kohe ai u përpoq të riprofilizonte vetveten si një politikan i modelit “Orban” duke bërë deklarata në mbrojtje të familjes dhe duke premtuar politika probiznes.

Korrikun e kaluar ai hodhi poshtë akuzat nga rivalët e tij socialistë se në rininë e tij të hershme pati kallëzuar në policinë politike të kohës së komunizmit, Sigurimi i Shtetit, një bashkëstudent që i pati rrëfyer atij planet për t’u arratisur nga vendi. Nëse ai ka qenë apo jo bashkëpunëtor i  sigurimit, këtë ka gjasa që nuk do ta mësojmë kurrë. Incidentalisht, në reagimin ndaj akuzave, Meta pranoi se pati shërbyer si sekretar rinie në Partinë e Punës, një element të cilin nuk e kishte përfshirë më parë në jetëshkrimin e tij zyrtar.