Aplikacion
Ish-Presidenti i Republikës, Ilir Meta, kryetar i Partisë së Lirisë, një nga figurat kryesore të politikës shqiptare, u arrestua për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.
Sipas burimeve Ilir Meta është vënë në pranga për çështjen e lobimit në SHBA dhe për pasurinë e tij, cështje për të cilën ai ka qenë edhe në SPAK, ku është marrë në pyetje disa herë dhe ka dhënë shpjegime.
Spak ka grumbulluar të dhëna edhe për shpenzime të dyshuara paligjshme, përfshirë ndërhyrjet estetike jashtë vendit të bëra nga bashkëshortja e tij, Monika kryemadhi.
Kjo e fundit është vënë në masë sigurie “Detyrim paraqitje”.
Në mes të muajit gusht të këtij viti, SPAK mori nën hetim Ilir Metën për një lobim në SHBA me vlerë 690 mijë USD, para këto të padeklaruara as në KQZ dhe as në ILDKP. Në duart e hetuesve janë dy kontrata të LSI-së dhe Ilir Metës, me kompaninë McKeon Group në janar dhe qershor 2017, për t’i siguruar Metës takime dhe aktivitete në SHBA.
Si ndërmjetëse është përdorur kompania “Dorelita Limited”, e regjistruar si offshore në Qipro.
Në fillim të muajit korrik, SPAK ka regjistruar një tjetër procedim penal, bazuar një tjetër kallëzim penal të ish-deputetit Halit Valteri.
Pjesë e padisë së dytë janë ish presidenti Ilir Meta dhe ish kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, deputeti Petrit Vasili, ish-ministri i Bujqësisë Edmond Panariti, kandidatja për deputete e LSI, Elona Guri, etj.
Në kallëzim thuhet se këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë krijuar një skemë të mirëfilltë të pastrimit të parave që rrjedhin nga korrupsioni dhe vjedhja e pasurive publike.
Në kallëzim referohen kontrata të tjera lobimi në 2017 të padeklaruara, si dhe ngrihen dyshim për fshehje pasurie.
SPAK gjithashtu po e heton Ilir Metën edhe për çështjen CEZ-DIA.
Sipas burimeve, bashkë me Metën, nën arrest është vënë edhe babai i deputetes së Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho. Me urdhër të SPAK, Pirro Xhixha është vënë në arrest shtëpie.