zoom

Lajme

Skandal në Greqi/ Ekipi shqiptar “Çamëria” nuk lejohet të luajë për shkak të emrit

Ekipi “Çamëria”, që përfaqëson Shqipërinë në turneun ndërkombëtar të futbollit amator, është penguar të zhvillojë ndeshjet në Kretë të Greqisë.

Kjo me arsyetimin se emri i përfaqësimit të Shqipërisë nuk është i përshtatshëm.

“Çamëria” është pjesëmarrës në Socca Champions League, e cila po zhvillohet në Kretë nga data 17-20 tetor. Ky ekip amator i futbollit merr pjesë rregullisht në kompeticionet joprofesioniste, nën drejtimin e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Socca Albania, që përfaqëson Shqipërinë në Socca International.

Ditët e fundit, ekipi shqiptar ka luajtur në këtë turne ndërkombëtar, duke zhvilluar dy ndeshje – një të fituar dhe një të humbur. Sidoqoftë, ekipi, i drejtuar nga trajneri Irtan Sejko, është njoftuar nga organizatorët dhe drejtuesit e Socca International Federation se qeveria greke nuk lejon më përdorimin e emrit dhe logos “Çamëria.”
Lajmi për pjesëmarrjen e ekipit shqiptar në këtë turne ka tërhequr vëmendjen e mediave lokale në Kretë, të cilat kanë ngritur shqetësime lidhur me emrin e ekipit.

Ky reagim duket se ka nxitur interesimin e autoriteteve greke, të cilat kanë nisur procedurat për pezullimin e pjesëmarrjes së ekipit. Ky incident mund të konsiderohet si pjesë e një vale të përsëritur ksenofobie nga ana e mediave dhe institucioneve greke ndaj shqiptarëve.