Aplikacion
Në anën tjetër, eksportet e shërbimeve arritën në 31% të PBB-së në vitin 2023 nga 26.6% që ishin në vitin 2022, sipas të dhënave të Eurostat.
Nga viti 2020, eksportet e shërbimeve kanë shënuar një rritje të shpejtë me 15 pikë % të PBB-së, ndërsa eksportet e mallrave u rritën me vetëm 2.6% të PBB-së (shiko grafikun bashkëngjitur), teksa janë në trend rënës.
Eksportet e shërbimeve po nxiten nga zhvillimet në sektorin e turizmit. Pas pandemisë, Shqipëria u shndërrua në një destinacion të preferuar nga të huajt, duke bërë që gjithnjë e më shumë valutë e huaj të hyjë nga ofrimi i shërbimeve turistike se sa nga shitja e mallrave jashtë vendit.
Sipas Eurostat, Shqipëria renditet në pesë vendet e Europës me kontributin më të ulët të eksportit të mallrave në Raport me PBB, ndërsa renditët në grupin e 6 vendeve ku eksporti i shërbimeve ka një kontribut të lartë në % të PBB-së.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2023, rezulton se të ardhurat nga turizmi arritën vlerën e 4,2 miliardë lekëve, me rritje 48%, krahasuar me vitin 2022.
Nga ana tjetër, në vitin 2023, eksportet e mallrave janë 440 miliardë lekë, duke u ulur 9,5% krahasuar me vitin 2022.
Kjo tendencë ka vijuar edhe në vitin 2024, ku numri i vizitorëve të huaj ka qenë mesatarisht 30% më i lartë dhe nga ana tjetër eksportet e mallrave ka shënuar rënie më tej. Në tetëmujorin 2024 eksportet e mallrave arritën vlerën 255 mld lekë, duke u ulur me -14,9% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2023, sipas të dhënave zyrtare.
Vitin e kaluar, ekonomia përshpejtoi zhvendosjen nga sektori i prodhimit te shërbimet. Rënia e Euros, rritja e pagës minimale, kërkesa e dobët nga jashtë po çojnë në faliment shumë fabrika, teksa ekonomia jonë po rrit varësinë nga importet.
Në vitin 2023 por edhe këtë vit sektori i industrisë është më rënie, nga ana tjetër, u vu re një rritje e sektorit të shërbimeve për shkak të fluksit të lartë të turistëve.
Vitin e kaluar ekonomia e vendit u rrit me 3.5% ku sektori i shërbimeve kontribuoi me 2.6 pikë % për shkak të zhvillimeve pozitive në turizëm.
Por ekspertë të ekonomisë dhe bizneset mendojnë se orientimi i ekonomisë nga prodhimi te shërbimet nuk është një hap i sigurt dhe i qëndrueshëm.
Tregu i prodhimeve është i qëndrueshëm, me normë shumë të lartë vlerësimi, ndërsa tregu i shërbimeve, edhe për shkak të avancimit teknologjik e shoqëror është i paqëndrueshëm, me norma shumë të larta zhvlerësimi./Monitor