zoom

Lajme

Begaj iu ankua Erdogan për zyrat/ FRPD: Kërkesë për Ramën për të ndërtuar kullë

Kreu i FRPD, Besart Xhaferri reagoi pas bisedës që presidenti Bajram Begaj bëri me homologun e tij turk për zyrat e Presidencës.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Xhaferri tha se kjo ishte një kërkesë e presidentit për të pasur një kullë.

Për këtë arsye, por edhe për të tjera, ai ftoi qytetarët nesër në një protestë para Bashkisë së Tiranës, për të kërkuar largimin dhe arrestimin e Erion Veliajt.

Këtë të fundit, kreu i FRPD e quan kokën e bandës 5D.

Reagimi i kryetarit të FRPD-së,

Shteti ligjor drejt asgjësimit, Presidenti lutet që Rama ti ndërtojë një kullë!

Nën qeverisjen e Rilindjes çdo institucion në këtë vend është asgjësuar dhe në krye të tyre janë vendosur njerëzit më mediokër, që për Kushtetutë njohin vetëm statutin e PS dhe Manualin e vetëposhtërimit.

Në një vend ku Drejtësia dhe Parlamenti janë kthyer në hanxhar për asgjësimin e pluralizimit, Presidenti i vendit i lutet Presidentit të Turqisë Erdogan që Edi Rama ti ndërtojë dhe atij një kullë se zyrat e Presidencës janë shumë të vogla.

Veç shpërndarjes se dekoratave dhe pjesëmarrjes në panairet e bujqësisë nuk e di se cili është kontributi i Presidentit të vendit për çështjet delikate me të cilat përballet vendi sot, mes të cilave dhe pastrimi i parave në kulla.

Ky nivel zyrtarësh është për ti mëshiruar dhe është dëshmia më e qartë se nëse reagimi ynë nuk është në lartësinë e agresionit të mazhorancës për të instaluar Narkoshtetin, fatet e vendit janë në rrezik.

Koha të mos e ndalim rezistencën, nesër në 11:00 do jemi para Bashkisë Tiranë kundër kreut të Bandës 5D që ende nuk ka shkuar pranë kolegëve në qeli.