zoom

Aktualitet

Projekti/ Dy kulla gjigande do të ndërtohen pranë liqenit Artificial

Në tetor të vitit të kaluar, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi lejen e zhvillimit për një kullë 40 katëshe në rrugën Kristo Luarasi, poshtë digës së Liqenit Artificial të Tiranës.

Kullat e reja do të ngrihen aty ku dikur gjendej Universiteti Barleti. Kompania ndërtuese është Green Living, e cila zotërohet respektivisht me 50 për qind nga Natasha Xai dhe Alban Efthimi.

Edhe pse leja e zhvillimit përmbante vetëm një kullë 40 katëshe në renderin e publikuar në internet, duken dy ndërtesa me lartësi 40 dhe 60 kate. Ato do të kenë edhe një urë, e cila i lidh direkt me shëtitoren e Liqenit, siç duket në foto.

Nuk është e qartë nëse kompania e ka ndryshuar projektin.

Alban Eftimi, i denoncuar vazhdimisht nga opozita si mik i afërt i kryeministrit Edi Rama,  e nisi fillimisht karrierën e biznesit me studion Attelier 4. Kjo studio projektimi ka qenë një nga përfitueset më të mëdha të fondeve publike në fushën e projektimit, aq sa gjurmët e saj gjenden në çdo projekt madhor arkitekturor në Tiranë.

Por vitet e fundit, zoti Efthimi e ka diversifikuar biznesin e tij duke u shndërruar praktikisht në ndërtuesit më të madh të Tiranë.

Aktualisht kompanitë e Efthimit kanë ndërtuar ose kanë në proces ndërtimi disa kulla dhe pallate në zonat më të preferuara të kryeqytetit, nga Blloku tek diga e Liqenit. /Zoom.al