zoom

Aktualitet

MESAZHET/ Kërcënohet Gazment Bardhi

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka marrë mesazhe kërcënuese në emër të tij.

Persona të paidentifikuar i kanë shkruar Bardhit në aplikacionin Signal në datën 28 shtator.

Demokrati kërkon nga SPAK të hetojë për këto mesazhe, ku sipas tij, sajohen ngjarje dhe përmenden personazhe të krimit të organizuar.

“Këto mesazhe intimiduese dhe me përmbajtje tërësisht të rreme vijnë pas seancës plenare të datës 12 Shtator 2024, ku gjatë një interpelance me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, unë në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë e përballa atë me disa të dhëna të platformës SKY/ECC që janë bërë publike, si dhe e paralajmërova se shumë shpejt do ta përballë me të dhëna të tjera të të njëjtës natyrë që provojnë lidhjet mes funksionarëve të lartë publik dhe krimit të organizuar, gjithmonë pa cenuar dhe duke respektuar rregullat për ruajtjen e sekretit hetimor.”- thotë zoti Bardhi në letrën për Drejtuesin e SPAK-ut dhe për të cilën ka vënë në dijeni ambasadat e SHBA, BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë.

Gazment Bardhi i kërkon SPAK që të hetojë dhe verifikojë në një kohë të shpejtë mesazhet me natyrë intimiduese ndaj një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë, me qëllim identifikimin e autorit/ëve të këtyre mesazheve, motiveve të dërgimit të tyre, dhe arsyet e prodhimit të një dokumenti të falsifikuar. “Gjithashtu, për qëllime publike ju nxis të verifikoni edhe përmbajtjen e rrethaneve konkrete të tyre”, shkruan Gazment Bardhi në letrën drejtuar SPAK.