zoom

Lajme

A i friksohet kandidimit të ish-gruas në Tiranë? Si përgjigjet Ilir Meta

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i pyetur nëse ka frikë nga Monika Kryemadhi, partnerja e tij që ndodhet në proces divorci, e cila pritet të kandidojë si e pavarur në Qarkun e Tiranës, ai u shpreh se nuk i druhet askujt.

Meta premtoi se rezultati i Partisë së Lirisë në këto zgjedhje do të jetë shumë më i lartë se rezultati më i mirë që LSI-ja ka pasur ndonjëherë në Tiranë.

“Frikë nga Monika Kryemadhi si një kandidate e pavarur? Ilir Meta do të udhëheqë Partinë e Lirës dhe listën e saj në kryeqytet dhe në Qarkun e Tiranës, sepse është qarku më i madh i vendit tonë dhe nuk i druhet kreut të narko-shtetit dhe instrumenteve mafiozë të tij dhe askujt tjetër, gjithmonë duke respektuar qytetarët e Tiranës dhe gjithë Qarkut të Tiranës.

Krenar sepse kam bërë shumë vepra të mira për Tiranën. I kam kthyer parkun “Rinia”, ia kam kthyer unë si kryeministër. Bëra mirë që i prisha ato kioskat dhe i ktheva parkun kryeqytetit, sepse po të mos e kisha bërë atë gjë, ky do prishte kioskat dhe do bënte ato kullat 300-katëshe. I kam marrë në mbrojtje zonën historike si kryeministër dhe ky pastaj kur i mori të gjitha pushtetet vetë, e shembi teatrin atje dhe shkatërroi zonën, vetëm për projekte korruptive dhe kam bërë shumë gjëra të thera në Tiranë.

Kam shumë arsye për të përfaqësuar të gjithë qytetarët e Tiranës, por jo vetëm. Rezultati i PL-së do të jetë fantastik në Qarkun e Tiranës, shumë më lartë se rezultati më i mirë që ka pasur ish-LSI në kohën që e drejtoja unë”, u shpreh Meta.