zoom

Lajme

Pas Marina Vjollcës, edhe Luana kthehet në Top Channel

Sezoni i ri televiziv do të rikthejë në Top Channel Marina dhe Luana Vjollcën. Pas mbarimit të kontratës me televizionin Klan, dy motrat i pret një rrugëtim i ri në ekran.

Burime të sigurta për Zoom.al konfirmojnë se krahas Marinës, edhe Luana do të jetë pjesë e Top Channel. Teksa për të ende nuk dihet se cili format televiziv do t’i besohet në moderim, Marinën nga ana tjetër do ta shohim në emisionin “Shqiptarët për shqiptarët”, me producent imamin Elvis Naçi.

Më herët u tha se do të ishte Kiara Tito bashkëprezantuese me Naçin, por zëra thonë se ish-banorja e Big Brother VIP do të moderojë “Portokallinë”.

Rikthimi i motrave Vjollca në Top Channel, aty ku nisi dhe u zhvillua karriera e tyre televizive vjen pas disa viteve shkëputje.

Të njohura fillimisht si velinat e emisionit “Fiks Fare”, Luana dhe Marina do të vijonin më tej me prezantimin e formateve të ndryshme.

“Shiko kush LUAN” u moderua suksesshëm për vite me radhë në Top Channel nga Luana Vjollca, teksa Marina krijoi personazhin e saj ikonik te “Procesi Sportiv”, eksperiencë të cilës iu rikthye në Klan, me “Euro 2024”.

/ Zoom.al