zoom

Aktualitet

Çfarë hodhi droni brenda burgut të Peqinit?

Brenda dy pakove të hedhura me dron brenda burgut të Peqinit ishin futur celularë dhe një sasi kokaine.

Në një reagim zyrtar, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve konfirmoi se një nga pakot përmbante dy aparate celularë, një iPhone 11 dhe një iPhone 11 Pro Max, si dhe tetë fisha për karikimin e telefonave.

Në një tjetër pako u gjetën 380 gramë të dyshuar kanabis sativa, të ndara në doza të vogla nga 0.13-0.15 gramë, si dhe 33 doza të vogla me lëndë të dyshuar si kokainë, me një peshë totale prej 57.7 gramë.

Sipas Drejtorisë, ngjarja ndodhi rreth orës 20:37 të mbrëmjes së djeshme, kur një dron fluturoi në një lartësi prej 100-150 metrash në territorin e burgut, ku për 1 minutë e 20 sekonda hodhi dy pako brenda ambienteve të burgut.

“Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka ndërmarrë menjëherë një sërë masash për të rritur sigurinë, duke përfshirë: shtimin e forcave të specializuara për monitorimin e hapësirave të jashtme dhe kontrollin e aktiviteteve të dyshimta; kontrollin e plotë të të gjitha zonave të hapura dhe të mbyllura të IEVP-së; si dhe analizimin e ngjarjes për përfshirjen e të dënuarve apo të paraburgosurve në këtë ngjarje. Po ashtu, është parashikuar që të gjithë të burgosurit ose të paraburgosurit që do të dyshohen për përfshirje në ngjarjen e mësipërme do të transferohen menjëherë në institucione të tjera për të parandaluar ndonjë përfshirje të mëtejshme në aktivitetet e paligjshme.

Policia e Shtetit dhe Prokuroria po hetojnë ngjarjen për të identifikuar personat përgjegjës dhe për të vënë përpara drejtësisë organizatorët e kësaj veprimtarie të paligjshme. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve garanton se do të vazhdojë të marrë të gjitha masat e nevojshme për të rritur më tej sigurinë në institucionet e vuajtjes së dënimit dhe për të parandaluar aktivitetet kriminale brenda tyre. Të gjitha provat e gjetura kanë shkuar për ekspertim të mëtejshme në laboratorin shkencor”, tha Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

Postime të lidhura