zoom

Bota

Protesta në Greqi, Francë e Britani kundër certifikatave COVID

Në shumë shtete evropiane është shtuar zemërimi qytetar kundër masave COVID-19, certifikatave të shëndetit, apo edhe vaksinave të detyrueshme.

Në Greqi vijojnë protestat ku policia përdori ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë mijëra protestues të mbledhur në qendër të Athinës, të cilët marshuan drejt parlamentit duke mbajtur në duar një banderole ku lexohej “Liri”.

Grupe protestuesish u përplasën edhe me policinë e cila u kundërpërgjigj, disa demonstrues u arrestuan. Kjo është protesta e tretë në 10 ditë në Greqi, pas vendimit të qeverisë për ta bërë vaksinimin të detyrueshëm për stafin mjekësor, madje është bërë thirrje që të vaksinohen edhe mësuesit para nisjes së vitit shkollor. Rreth 45% e popullsisë prej 11 milionë banorëve në Greqi është vaksinuar plotësisht.

Protestat kanë nisur edhe në Francë ku mijëra qytetarë marshuan në rrugët e Parisit për të kundërshtuar të ashtuquajturat pasaporta apo certifikata COVID.

Zemërimi i qytetarëve është kryesisht ndaj masave të qeverisë për të ndaluar përhapjen e COVID-19, për të cilin disa njerëz thonë se është një sulm ndaj lirisë së tyre. Protestat u zhvilluan edhe në qytetet Marsejë, MontpejerNantë dhe Tuluz.

Ligjvënësit francezë pritet të votojnë një projekt-ligj që synon aplikimin e një certifikate shëndetësore dhe vaksinim të detyrueshëm për punonjësit shëndetësorë. Pa një certifikatë që dëshmon se je vaksinuar apo se je negativ nga COVID-19 qytetarët nuk do të lejohen të futen në bare restorante, avionë etj.

Qindra protestues marshuan dhe në Londër kundër vaksinimeve dhe masave kufizuese. Ata brohorisnin “Liri!” dhe “Turp për ju!” duke iu drejtuar policëve.

Kryeministri britanik Boris Johnson u shpreh pak ditë më parë se  nisur nga shtatori  klubet e natës dhe vendet e tjera publike  do t’u kërkojnë klientëve të paraqesin prova të vaksinimit, çka nuk është mirëpritur nga të gjithë qytetarët.