zoom

In Zoom

Tezat populiste vërshojnë në “tregun politik” në prag të zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri

“Korrupsioni për zyrtarët e lartë duhet të dënohet minimalisht me 25 vjet burg”, – thotë nga një prej studiove të emisioneve politike të mbrëmjes Adriatik Lapaj, një aktivist politik që synon të garojë në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025 me lëvizjen “Shqipëria bëhet”.

Madje, “korrupsioni i zyrtarëve të lartë duhet të shpallet tradhëti kombëtare”, sugjeron ai, një tezë që të krijon përshtypjen se çdo politikan, prokuror, gjyqtar, polic apo ekspert, shqiptar apo i huaj që ka shpenzuar vite me radhë punë e karrierë për të ndërtuar strategji për të luftuar korrupsonin, e paska pasur zgjidhjen para syve e nuk e paska parë.

Ideja është e thjeshtë, sipas Lapajt: rrit masën e dënimit që të prodhosh ilaçin shërues kundër shkeljes së ligjit.

Sipas kësaj logjike, meqë SHBA ka në fuqi dënimin me vdekje, vrasjet do të duhet të ishin pakësuar. Por në realitet numri i vrasjeve në Shtetet e Bashkuara vërtitet mes 20 dhe 24 mijë çdo vit, që nga viti 1991.

Bota pa pak vite më parë se si një tezë me masa ekstreme për t’i ndaluar fenomenet kriminale prodhoi një masakër në Filipine.

Presidenti Rodrigo Duterte, që shërbeu nga 30 qershori i vitit 2016 deri në 30 qershor të vitit 2022, u shpalli luftë trafikantëve të drogës. Fushata e tij e reduktoi përhapjen e drogës, por nuk e eliminoi fenomenin, ndërsa nga ana tjetër shkaktoi dhjetëra mijëra viktima. Organizatat e të drejtave të njeriut vlersojnë se më shumë se 20,000 civilë u vranë në rrethana të paligjshme nga policia dhe nga mbështetësit e Dutertes.

Përpara se të zgjidhej president, Duterte kishte premtuar se do ta çlironte vendin nga drogat brenda 6 muajsh. 6 vjet pas largimit, droga mbetet problem shetësues, aq sa pasuesi i tij, Bongobong Marcos tha se lufta kundër narkotikëve do të ishte prioritet i tij. Por ai theksoi se do të vepronte në një mënyrë tjetër, siç ishte parandalimi, rehabilitimi dhe mbrojtja e të rinjve, pasi vrasja e trafikantëve nuk prodhoi zgjidhje.

Korrupsioni në Shqipëri është galopant, “në çdo degë të qeverisjes”, thotë Departamenti Amerikan i Shtetit. Kjo është alarmante. Por këmbanat e alarmit kumbojnë më shumë kur dëgjon kreun e SPAK të thotë se “institucionet shtetërore nuk kanë bërë vetë asnjë denoncim. 
Nëse vetë administrata do ta luftonte korrupsionin, siç ngre shqetësimin kreu i SPAK, realiteti me gjasë nuk do të ishte ky që ka Shqipëria sot. Dhe nëse administrata dhe qeveria nuk janë bashkëpunuese në këtë drejtim, asnjë masë ligjore nuk do të mjaftonte për ta luftuar atë. Kur qeveria dhe administrata janë të korruptuar, në botën demokratike shkohet në votime për t’i ndërruar ato.

Teza alla Lapaj mund ta gjejë përgjigjen te shembulli i ashpërsimit të ligjit pak vite më parë për armëmbajtjen pa leje. Dënimet shkuan në 7 vjet, por sot mbajtja e një arme pa leje është aq e përhapur, për sa kohë policia rri duarkryq apo në disa raste ka dyshime se as i referon në prokurori.

Shqipëria nuk është kritikuar ndonjëherë nga organizata apo qeveri perëndimore për mungesë legjislacioni, por për zbatimin e tij. Dhe përpara se të arrijmë absurdin duke kërkuar dënime maksimale për çdo fenomen joligjor, do të duhej të kërkoheshin arsyet e moszbatimit të ligjeve. Pra, fare thjeshtë nëse Lapaj do të ishte në qeveri mund ta bëjë edhe 25 vjet dënimin për korrupsion, por nëse vetë administrata, policia, prokuroria e gjykata nuk kanë vullnetin për ta zbatuar ligjin, ai do të mbetej një gisht bojë në një copë letër.

Kodi i ri penal, i miratuar në vitin 2020, i dyfishoi dënimet për korrupsion ndaj zyrtarëve të lartë. Por në këto 4 vjet korrupsioni ka qenë po aq galopant sa më parë, sipas Departamentit Amerikan të Shtetit. Lapaj mendon se duke e dyfishuar sërish masën e dënimit, rezultatet do jenë të ndryshme. Por a mund të presësh rezultate të ndryshme duke bërë të njëjtën gjë?

Arlind Qorri është një tjetër personazh i një brezi që kërkon një vend në lozhën politike. Ai është drejtues i lëvizjes “Bashkë”, të cilën e themeloi pasi drejtoi Organizatën Politike, me të cilën ai mburret jo pak se organizoi protesta të shumta, por që kritikët thonë se në çdo tubim ku mori pjesë Organizata  e tij, fryma e protestës u shua (LEXO KËTU).

Tezat e tij janë të një të majte që shpesh portretizohet si ekstreme, por ai thotë se e ai përfaqëson një të majtë demokratike. Gjithësesi, të shumtë janë ata që politikën e tij e shohin po ashtu si populiste, me teza të pastudiuara mirë e të paargumentuara.

Një pyetje të drejtuar në platformën Reddit, “çmendim keni për dyshen Arlind Qorri – Adriatik Lapaj, një komentues i përgjigjet në këtë mënyrë.

“S’e duroj dot të majtën ekstreme. Njerëz komplet pa llogjikë kur vjen puna te ekonomia, janë shumë emocional dhe fare praktikë. Ne kemi problem të madh që na pret tani, plakja e popullsisë dhe rinia që ikën. Na duhet të rrisim ekonominë se me cfarë do i mbajmë? Thotë Arlindi do rrisim asistencën, po mirë dakort po fol pak edhe për ekonominë dreqi ta hajë se si do paguash zotëri për këto gjëra? Flasin vetëm për shpenzime buxheti, por asnjëherë për të krijuar të ardhura të cilat në fundit të ditës janë ato që mundësojnë ty të shpenzosh.”

Një tjetër komentues e shtjellon më tej këtë ide, duke përfshirë në të njëjtin rreth edhe Adriatik Lapajn e Endri Shabani, një tjetër aktivist që kërkon pushtet nën grupimin politik “Nisma”.

“Un atë ideologjinë e Qorrit nuk ia uroj as vendeve armike, por ama ka nje lloj argumenti… Llapaj është mere me leng se mishi ka maru, populizma l*shi që nuk ia beson as plaka e vet. Ata që kanë një formim bazik dhe eksperienca me demokracinë e vërtetë, i kuptojnë sa të cekët janë këta tipat, bashkë me ata të lodhurit e Thurjes. Shembull i thjeshtë: këta propagandojnë se do shtojnë personat në asistencë sociale kur lufta duhet të jetë minimizimi i asistencës dhe nxitia e iniciativës private.”

Tre të rinjtë që synojnë të zënë vend në parlamentin e ardhshëm të 2025-ës, po përpiqen të tregojnë se janë kundër sistemit të vjetër politik. Sa më shumë afrohet koha e zgjedhjeve, aq më shumë shtohet doza e tezave populiste.

Teza të tilla është e vërtetë që kanë prodhuar deputetë e kryeministra, por asnjëherë zgjidhje për premtimet.
Edi Rama e mori pushtetin në 2013 duke premtuar se do të bëjë legalizimet falas dhe shëndetësinë falas dhe do të rriste buxhetin për arsimin në 5 %. Gjatë 11 viteve të pushtetit të tij të gjithë jemi dëshmitarë se çfarë ka ndodhur si me legalizimet ashtu edhe me shëndetësinë apo arsimin.

Alexis Tsipras erdhi po ashtu në pushtet në Greqi me teza populiste, por kur mori çelësat e zyrës së kryeministrisë u detyrua të ndryshojë kurs, të gëlltisë premtimet që bëri për të mos ia paguar borxhet kolosale BE-së dhe të largojë kryepopulistin e partisë së tij, Janis Farufakis, një “idhull” i Arlind Qorrit në këto kohë.

Italia prodhoi një qeveri të lëvizjes populiste “5 Yjet” të komedianit Beppe Grillo, e cila në pak kohë u shkërmoq, bashkë me lëvizjen, pasi nuk arriti të përmbushë premtimet e saj.

“Ata thonë se jam populist? Nuk më intereson! Ajo që dua është dëbimi i të gjithë politikanëve!” – bërtiste Grillo para ardhjes në pushtet, por kur partia e tij “u formalizua” dhe u bë pjesë e sistemit, ai nuk qe më aty e nuk pati më asnjë fuqi për të dëbuar ndonjë politikan.

“Vetëm me populizma mund të vish në pushtet” – shkruan një tjetër komentues nën pyetjen për dyshen Qorri – Lapaj. Ashtu si ky aktivist i rrjeteve sociale, edhe aktivistët e rinj të ekraneve që ëndërrojnë një karrige në parlament e kanë kuptuar se çdo gjë populiste mund t’u rrisë popullaritetin. Tezgat elektorale po mbushen plot nga ky mall, si ato me këpucët kineze, që kushtojnë lirë, por s’të çojnë dot gjëkundi. /Zoom.al