Aplikacion
Së pari, administrata portuale. Porti i Durrësit është tashmë një skenë e madhe krimi. Autoritetet tajlandeze dhe rrjeti i Bazelit kanë konfirmuar zyrtarisht se Shqipëria nuk ka autorizuar zyrtarisht eksport mbetjesh. Kjo shtron pyetjen, si u ngarkuan në mes të ditës dy anije të mëdha në Portin e Durrësit pa patur autorizim për eksport?
Mjafton vetëm ky fakt, që e gjithë administrata drejtuese e Portit të Durrësit të vihet nën hetim. Pirro Vengu, ministri i ri i mbrojtjes, veç kontratës 12 milionë euro të konsulencës me Royal Haskoning duhet të përgjigjet në SPAK, më së pari për skandalin e mbetjeve. Sepse ky skandal konfirmoi për të disatën herë se kufijtë e Shqipërisë nuk janë të sigurtë dhe përderisa dalin mbetje të rrezikshme në eksport, ashtu edhe hyjnë në import.
Ironia e madhe në këtë rast, qëndron në faktin se Vengu u promovua dhe nëse më parë kishte shndërruar në han pa porta Portin e Durrësit, tani mund të shndërrojë të gjithë kufijtë e Shqipërisë. Një drejtor që ngre traun e Portit për të lejuar tregti kriminale mbetjesh, nuk ka pse të ngurrojë të fikë radarët e kufirit për trafik kokaine dhe armësh si ministër Mbrojtje. Dhe të mendosh që këta personazhe ftojnë edhe NATO-n të bëhej pjesë e porteve të tyre të trafikut.
Institucioni dytë nën akuzë është, administrata doganore. Kjo nuk është hera e parë që doganat shqiptare kapen gafil në skandal me ngarkesa të paligjshme. Pak kohë më parë nën presionin e shërbimeve të vendeve partnere dogana u detyrua të kthejë mbrapsht një nga ngarkesë të paligjshme karburanti nga Libia, që ishte nën sanksion ndërkombëtar.
Gent Gazheli, drejtori i përgjithshëm i doganave duhet të sqarojë edhe ky në SPAK me çfarë deklarate eksporti janë nisur dy anijet me mbetjet e rrezikshme. Cfarë është shkruar mbi ato deklarata dhe si janë bërë procedura ligjore të kontrollit.
Megjithatë kjo nuk është thjesht një çështje drejtorësh apo doganierësh të korruptuar . Skandali më i madh është rënia totale e shtetit.
Autoritetet tajlandeze, rrjeti i Bazelit dhe mediat më të mëdha ndërkombëtare kanë dy javë që përpiqen të gjejnë se kush është kompania eksportuese e mbetjeve të rrezikshme nga Shqipëria. Por Shqipëria nuk e tregon.
Pra në Shqipëri ekzistoka një kompani private, e cila i mbylli sytë Pirro Vengut, taposi gojën e Gent Gazhelit dhe i ka futur shkopin në gojë të gjithë shtetit. Ky është skandali i vërtetë, sepse e akuzon Shqipërinë si shtet mafioz të përfshirë në trafik ndërkombëtar.
Nga Klodian Tomorri/Kapitali.al
244 milionë amerikanë do të zgjedhin presidentin e ri – Kur hapen qendrat e votimit?