Aplikacion
Olmert tha për shërbimin iranian të Radios Evropa e Lirë më 31 korrik se përgjigja e Iranit për vrasjen do të formësohet nga besimi i Teheranit se Izraeli e kreu sulmin, pavarësisht se Izraeli nuk e ka marrë përgjegjësinë.
“Se a e kemi bërë ne apo jo, kjo ka pak rëndësi”, tha Olmert, i cili ka qenë i përfshirë në përpjekjet e dështuara për ta arritur një marrëveshje për zgjidhjen me dy shtete me Autoritetin Palestinez derisa shërbeu si kryeministër nga viti 2006 deri në vitin 2009.
“Me gjasë ata [Irani] do të vendosin se si të përgjigjen bazuar në atë se çfarë mendojnë se ka ndodhur”. Vdekja e Haniyehut në tokën iraniane dhe sulmet izraelite ndaj grupeve të mbështetura nga Teherani, të cilat përfshihen në sulme kundër Izraelit, kanë nxitur frikë për rrezikun e shpërthimit të një lufte të drejtpërdrejtë mes Iranit dhe Izraelit dhe për një konflikt të gjerë në Lindjen e Mesme.
Haniyeh u vra mëngjesin e 31 korrikut në një lagje të pasur në Teheran, pak pasi kishte marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit iranian, Masud Pezeshkian, në Parlament. Qeveria e Izraelit nuk ka komentuar vrasjen e tij, por lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, është zotuar për hakmarrje kundër Izraelit për vrasjen e tij.
“New York Times”, duke cituar zyrtarët iranianë, raportoi se Khamenei urdhëroi sulm të drejtpërdrejtë kundër Izraelit gjatë një takimi emergjent të Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit më 31 korrik.
Haniyeh u përfshi bujshëm në bisedimet e ndërmjetësuara nga ndërkombëtarët në arritjen e një armëpushimi të përhershëm në luftën mes Izraelit dhe Hamasit. Lufta 10-mujore, e nxitur nga një sulm vdekjeprurës i Hamasit në Izrael më 7 tetor, i ka lënë të vdekur gati 40.000 njerëz, kryesisht civilë, sipas zyrtarëve shëndetësorë në Gazë.
Vrasja e Haniyehut ndodhi një pasi Izraeli tha se e ka vrarë Fauk Shukr, komandantin e grupit libanez të mbështetur nga Irani, Hezbollah, të cilin e akuzoi për një sulm në fundjavë në të cilin u vranë dhjetëra të rinj në Lartësitë e Golanit, të okupuara nga Izraeli.
Izraeli e ka përshkruar sulmin e 28 korrikut si më vdekjeprurësin prej 7 tetorit, kur Hamasi vrau 1.200 izraelitë dhe mori peng qindra të tjerë. Izraeli është zotuar se do ta çrrënjosë lidershipin e Hamasit pas sulmit të 7 tetorit dhe lirimin e të gjitha pengjeve që po mbahen në Gazë. /REL/