zoom

Aktualitet

EMRAT/ Dramë në Konispol, çifti i turistëve bie me makinë në kanalin e Butrintit. Njëri më rëndë

Një aksident i rëndë ka ndodhur në afërsi të fshatit Vrinë, Bashkia Konispol, pak pas mesditës së sotme.

Një automjet që vinte nga Greqia, me dy shtetas të huaj në bord, ka përfunduar në kanalin e Butrintit.

Drejtuesi i mjetit duket se nuk e ka parë kthesën që të çon në vendin e quajtur “Lundra” dhe ka përfunduar në kanal. Menjëherë banorë të zonës që kanë parë skenën, janë hedhur në ujë duke nxjerrë nga automjeti që po fundosej një çift të huajsh.

Banorët u kanë dhënë ndihmën e parë duke i nxjerrë nga uji, derisa ka mbërritur infermierja e zonës, që u ka dhënë edhe ndihmën e parë. Ajo ka konstatuar se mashkulli kishte parametra të ulët jetësorë ndërsa shoqëruesja e tij paraqitej në gjendje më të mirë. Në vendngjarje ka mbërritur policia dhe autoambulanca të cilët i kanë transportuar drejt Spitalit të Sarandës dy të lënduarit.

Ata janë identifikuar si Onno J Van Helden 53 vjeç nga Holanda dhe Dajana Murai 34 vjeç nga Brazili. Gjendja e 53-vjeçarit paraqitet kritike ndërsa e 34-vjeçares më e stabilizuar. Megjithatë ata do të nisen me autoambulancë drejt Tiranës për mjekim më të specializuar.

Policia vendore ka nisur gjithashtu hetimet, kurse shkak i ngjarjes mendohet pakujdesia dhe mungesa e guidës apo njohjes së zonës nga turistët. /ZOOM.AL/