Aplikacion
Shumëkush priti që ai të bënte publike skandale që do t’i trondisnin themelet qeverisë ku ai shërbeu për më shumë se dy mandate.
Pak naive kjo, pasi Arben Ahmetaj nuk ka qenë kurrë kamikaz politik. Dhe si pjesë e pushtetit të Ramës për afro 10 vjet, edhe ai besohet se i ka pasur duart në “kumbullat, dardhët e pjeshkët” që janë ngrënë para syve apo pas shpinës kryeministrit Rama.
Rasti ku Ahmetaj do të mund të fliste hapur për afera që vërtet do t’ia dridhnin leqet pushtetit të Ramës do të ishte ai kur ish-dyshi i qeverisë të vendosë të bëhet “pentito”, duke marrë përsipër të rrëfejë edhe “të vetat”.
Por ish -zëvendëskryeministri e ka treguar gjatë gjithë karrierës së tij politike se veten e ka më të shtrenjtë se interesi publik, se e para është rehatia, pastaj vjen Shqipëria.
Ndaj intervista e mbrëmshme nuk qe për t’u shërbyer shqiptarëve, për të nisur një kthesë rrënjësore në politikë e qeverisje, për të goditur të korruptuarit apo Ramën, për të çuar në gojën e SPAK ata që vjedhin pasuritë publike, për të zbuluar të fshehtat e tryezave ndahet torta e parasë publike.
Dalja në Syri Tv qe për hallin personal. Sepse Ahmetaj nuk po bën betejën e shqiptarëve, por po luan ndeshjen e hallit që i ka rënë me shpalljen armik nga Rama e Partia dhe të akuzuar nga SPAK.
Ata që besojnë se ai i ka deklaruar luftë Edi Ramës, duhet të kuptojnë se mbremë ai i tundi flamurin e bardhë të paqes. Sepse, Arben Ahmetaj po kërkon të shmangë dëmet e mëtejshme që mund t’i shkaktojë atij makineria politike, mediatike dhe e drejtësisë që kontrollohet nga Edi Rama, siç u shpreh vetë.
Në këtë kontekst u zhvillua edhe intervista e tij e djeshme. Arben Ahmetaj i kërkoi Edi Ramës që të ndalej, duke paralajmëruar se do të ishte i detyruar t’i kundërpërgjigjej nëse do të shkonte më larg.
I kërkoi që Rama të frenonte kreun e SPAK, të zbrapste njerëzit që e kërcënojnë, të mos merrej më me të dhe familjen e tij.
Në të kundërt, e sinjalizoi se do t’i prekte njerëzit më të afërt, në familje e në kupolën e pushtetit.
Jo më kot i përmendi “Eco Parkun”, një rojekt prej “afro 20 milionë eurosh të zhdukura”, siç denoncon opozita, ku dyshohet të jetë përfshirë një nga familjarët e kryeministrit.
Jo më kot ai përfshiu në listën e akuzave Belinda Ballukun, zëvendëskryeministren që, me ndryshimet e reja në qeveri, ku përflitet se ka ndikuar në zgjedhjen e 3 ministrave, e ka shtuar pushtetin e saj si kurrë më parë. I përmendi tenderat dhe koncesionet që ka zhvilluar ajo, si tuneli i Llogarasë, porti i Durrësit apo porti i Porto Romanos.
Jo më kot përfshiu AKSHI-n, një prej institucioneve më të përfolura, jo vetëm për tenderat, por edhe për kontrollin që ka mbi të dhënat personale, të cilat, dyshohet se janë përdorur nga qeveria për qëllime politike, si në rastin e “Patronazhistëve”.
Arben Ahmetaj i tregoi mbrëmë ish -shefit të tij se ai nuk ka ndërmend t’ia prishë rehatinë e pushtetit, se nuk do një përplasje pa kthim që do t’i shkatërronte të dy. Dhe kjo, jo se Ametajt i mungon guximi, por ai ka zgjedhur përjetësisht pragmatizmin në vend të heroizmit. /Zoom.al