Aplikacion
Gjykata nuk ka marrë parasysh kërkesat e avokatëve, që kishin të bënin me pavlefshmërinë dhe papërdorshmërinë e akteve si dhe revokimin e masës së sigurisë, për mungesë provash e tejkalim afatesh. Berisha dhe Malltezi ndodhen në arrest shtëpie prej disa muajsh ndërsa po hetohen nga SPAK për procedurat e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar thotë se Berisha ka kryer veprime konkrete, si kryeministër, me miratime ligjesh dhe aktesh nënligjore, nga të cilat përfitoi dhëndri i tij, përmes privatizimit të pronës shtetërore-kompleksi sportiv “Partizani”. Hetuesit dyshojnë për veprat penale të “korrupsionit pasiv e aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë në bashkëpunim, si dhe pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale në bashkëpunim, kryer nga funksionarë të lartë shtetërorë dhe persona të tjerë gjatë privatizimit të kompleksit.
SPAK ka bërë të ditur se ish kryeministri Sali Berisha ka kryer korrupsion pasiv në bashkëpunim me Jamarbër Malltezin, bashkëshortin e vajzës së tij, ndërsa ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktet nënligjore për t’i përshtatur sipas nevojave të pesë familjeve pronare në kompleksin sportiv Partizani, ku përfitues ishte drejtpërdrejt edhe dhëndri i tij.
SPAK thekson se si kryeministër, Sali Berisha kreu veprime aktive në kontrolle administrative për të ushtruar presion dhe dha urdhëra konkretë për përfundimin e procedurave të privatizimit në favor mes të tjerëve edhe të Malltezit, bashkëshorti i vajzës së tij. Po ashtu SPAK deklaroi se ish kryeministri Berisha kreu veprime aktive për të vendosur në dispozicion të Malltezit struktura të ndryshme të administratës shtetërore për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore.
Malltezi dyshohet se ka kryer korrupsion pasiv në bashkëpunim me vjehrrin e tij Sali Berisha, duke shfrytëzuar pushtetin e tij si kryeministër, duke përfituar nga privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, nga ndryshimi i destinacionit nga zona sportive në zona banimi, shuma të konsiderueshme në cilësinë e investuesit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar në të, si dhe përfitime të marra para se të deklarohej si bashkortak në këtë shoqëri.
Ndërsa në bashkëpunim me ndërtuesin Fatmir Bektashi, Malltezi dyshohet se ka kryer pastrim të produkteve të veprës penale, duke u paraqitur si investitor në punimet për ndërtimin e bllokut të banesave, ndërkohë që nuk rezulton të ketë investuar, duke kryer veprime financiare, transaksione të copëzuara, apo në cash, për të fshehur origjinën dhe për të përfituar në mënyrë të paligjshme shuma deri mbi 5 milionë euro, akuza që i ka mohuar në mënyrë të përsëritur, duke e cilësuar një proces politik të organizuar nga kryeministri. /ZOOM.AL/
Berisha rikthehet me akuza të rënda: Taulant Balla ka porositur vrasje! Rama krimineli më i madh