Aplikacion
Kryeministri Edi Rama tha se tek Financat do të ketë një ministër të ri, gjatë kongresit të PS-së, ku Ervin Mete nuk kishte asnjë karrige.
Emëruar shtatorin e shkuar, kur në ngjizjen e një tjetër skandali, kreu i qeverisë shkarkoi Delina Ibrahimaj (çështja e pronës tek Shkolla e Partisë), largimi i Ervin Metes ishte pa dinjitet.
Në muajt e parë të drejtimit nga Mete, në korridoret e ministrisë flitej për kontrata e koncesione të lëna pezull në pritje të një firme, që pikërisht ministri i Financës refuzonte të jepte.
6 nga 12 koncesionet në fuqi kanë një dosje të hapur në SPAK dhe një financier si Mete dukej se i kishte bërë këto llogari.
Pas rezistencës, Rama krijoi një ministri tjetër për llogari të tij me një ministër që firmos: Blendi Gonxhe. MEKI, ministri e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit mori përsipër portofolin kryesor të buxhetit dhe abuzimit, atë të PPP-ve.
Por, Ervin Mete ndonëse hyri në qeveri si teknik dhe jo si politikan, u indoktrinua shpejt. Ai thelloi më tej luftën e socialistëve me klasën e mesme duke futur në fashën e tatim-fitimit dhe profesionet e lira (Kushtetuesja rrëzoi ligjin muaj më vonë).
Në tentativa për të ndihmuar bizneset e dëmtuara nga euro, ish-ministri Mete njoftoi një grant 4 mld lekësh për eksportuesit, industrinë e fasonëve, prodhuesve etj. Edvin Prençe, kreu i shoqatës “Pro-Export” e quajti joeficiente dhe burokratike procesin e grantit. Aplikimet mbyllen në tetor dhe vetm një bankë tregtare është bërë deri më tani pjesë e programit.
Mete ishte ministri që hodhi idenë e sigurimit të detyrueshëm të banesave nga tërmeti.
Raporti i koncesioneve vjetore, ka rreth 2 vite që nuk publikohet dhe pyetur për këtë, ish-ministri e delegoi fajin tek paraardhësit e tij, duke thënë se ai nuk ka qenë në ministri kur duhet të ishin publikuar këto raporte.
Medalja e largimit të Metes ka dhe një anë tjetër, atë të luftës së brendshme. Kongresi i djeshëm i PS-së (28 korrikut) ishte kongresi i zv.kryeministres Belinda Balluku. Gurët që lëvizi kryeministri forcuan ushtarët e Ballukut dhe hëngrën ushtarët e Veliajt, një ndër të cilët ishte Ervin Mete.
Mete dhe Veliaj ishin bashkëpunëtorë të vjetër që prej lëvizjes G99, derivat i lëvizjes MJAFT. Pjesë e grupit atëherë ishte dhe Arbjan Mazniku, me të cilin Rama duket se pati sukses të bënte çfarë s’bëri dot me Meten.
Mete duket se e kuptoi në kohë që në një qeveri si Rama 3, ai kishte përsipër një faturë të rëndë, kostot e të cilës nuk do të mund t’i pagunte dot./Zoom.al