zoom

Aktualitet

DETAJE/ Biznesmeni vdiq aksidentalisht në atentatin e dështuar me eksploziv, pranga bashkëpunëtorit

Zbardhet vdekja e biznesmenit Armand Nelaj në Sarandë, i cili u gjet i pajetë në bregdet, pasi humbi jetën si pasojë e një shpërthimi në mjetin e tij lundrues.

Hetime të thelluara çuan sot në arrestimin e shtetasit Eridion Muho, i cili dyshohet se bashkë me biznesmenin Armand Nelaj do t’i vendosnin një anijeje një sasi eksplozivi.

Por planet nuk kanë shkuar si duhej. Lënda plasëse i ka shpërthyer në dorë aksidentalisht biznesmenit 25 -vjeçar, i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Sipas policisë, motivi i vendosjes së eksplozivit ka qenë konkurrenca.

NJOFTIMI I POLICISE

“Si rezultat i veprimeve të thelluara profesionale dhe hetimore, është arrestuar një shtetas i cili dyshohet se bashkë me 52-vjeçarin, do t’i vendosnin një anijeje një sasi eksplozivi, që shpërtheu aksidentalisht duke shkaktuar vdekjen e 52-vjeçarit. Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Sarandë, nën drejtimin e Prokurorisë, si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore të kryera, bënë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të ngjarjes së ndodhur më datë 24.06.2024, në portin e Sarandës, ku si pasojë e një shpërthimi në det, humbi jetën shtetasi A. N.”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Si rezultat i hetimeve, është ndaluar shtetasi E. M., 35 vjeç, banues në Sarandë. “Ky shtetas dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin A. N. kishin planifikuar vënien e një sasie eksplozivi te njëra nga anijet që operon në linjën Sarandë-Korfuz, për motive konkurrence”, sqaroi policia vendore.

Kjo sasi lënde plasëse ka shpërthyer aksidentalisht, gjatë tentativës për ta transportuar dhe vënë në anije, dhe si pasojë ka humbur jetën Nelaj.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme. /ZOOM.AL/