zoom

Aktualitet

E rëndë në Mat/ Tentoi të digjte shkurret në tokën e tij, vdes në spital pas plagosjes i moshuari

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në rrethin e Matit, teksa shkak është situata kaotike e zjarreve në këto muaj të nxehtë vere.

Një 75-vjeçar njoftohet se ka humbur jetën si pasojë e djegies nga flakët. Ngjarja ndodhi në Zenisht të Matit dhe nga hetimet paraprake mësohet se viktima është vetëdjegur aksidentalisht, teksa përpiqej të eliminonte shkurret dhe barërat me zjarr në tokën e tij.

Mësohet se i moshuari i vuri zjarrin tokës, por flakët dolën jashtë kontrollit dhe ai u dogj edhe vetë. Ndonëse 75-vjeçari u dërgua me urgjencë në spitalin e Burrelit dhe më pas në Tiranë, ai nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra.

Situata me zjarret në vend mbetet ende problematike. Ministria sqaron se janë raportuar 21 vatra zjarri në 24 orët e fundit, ndërkohë që bën me dije se momentalisht janë aktive vetëm tre prej tyre, pasi pjesa tjetër është neutralizuar. Lufta nga ajri dhe toka me forca ushtrie dhe zjarrfikës vijon prej disa javësh, kurse dëmet materiale janë të mëdha e ka pasur disa viktima aksidentale.  Në shumicën e precedentëve ngjarjet janë kriminale, të qëllimshme dhe ende nën hetim policor. /ZOOM.AL/