zoom

Lajme

VOA për protestën e Opozitës: Qeveria teknike, kushti i të gjithë kushteve! Molotovë ndaj Qeverisë

Disa breshëri bombash molotov drejt selisë së Këshillit të Ministrave, kërkesa këmbëngulëse për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike që të çojë vendin drejt zgjedhjeve, dhe tensionet më pas përpara godinës së Bashkisë së Tiranës, shënuan protestën e organizuar nga opozita mbrëmjen e së enjtes.

Kryetari demokrat Sali Berisha ju drejtua i fundit, disa mijëra protestuesve që ishin mbledhur në bulevardin kryesor. Ai foli përmes një lidhjeje video nga shtëpia ku ai gjendet në arrest, që prej dhjetorit të kaluar, pasi kundërshtoi masën e “detyrimit për paraqitje” të urdhëruar nga Gjykata e Posaçme, në kuadër të hetimit për privatizimin e ish klubit Partizani në kryeqytet, gjatë kohës kur ai drejtonte vendin si kryeministër.

Sapo zoti Berisha nisi të fliste, nga ekranet e mëdha të vendosura në podiumin e ngritur në boulevard, drejt godinës së qeverisë nisi hedhja e molotovëve. Zhurma e shpërthimeve të tyre, së bashku me flakën dhe tymin, u bënë për disa momente sfondi i fjalës së kreut të opozitës.

“Prano qeverinë teknike, si kushti i të gjitha kushteve për zgjedhje të barabarta, dhe të shkojmë në zgjedhje të përgjithshme. Qeveria teknike është zgjidhja më e thjeshtë për ty”, u shpreh zoti Berisha duke ju drejtuar kryeministrit Rama, duke saktësuar se ky ishte një paralajmërim për të. “Mos e drejto Shqipërinë drejt greminës. Prano qeveri teknike. Me urgjencë”, përsëriti ai.

Sipas tij rotacioni politik është i nevojshëm në Shqipëri “shteti i vetëm në Europë që ka humbur 40% të popullsisë, shteti i vetëm në Europë me 47% fëmijë të kequshqyer, shteti i vetëm në Europë me liderin e opozitës të arrestuar”.

Partia Demokratike, forca kryesore e opozitës, përjetoi në tre vitet e fundit një luftë të ashpër të brendshme, e cila u nxit nga vendimi i ish kryetarit Lulzim Basha për përjashtimin e zotit Berisha nga grupi parlamentar, pas shpalljes së tij, dhe familjes së tij “non grata” nga Departamenti amerikan i shtetit. Ish kryeministri, megjithatë, arriti të rimarrë kontrollin e Partisë e së fundmi, edhe njohjen zyrtare si drejtuesi i saj, pas një vendimi të Gjykatës së Apelit.

Në fjalën e tij zoti Berisha i mëshoi sërish bashkimit. “Çdo parti e madhe europiane, çdo partie e madhe amerikane, është e tillë sepse njerëz të ndryshëm, madje edhe kundërshtarë të ndryshëm, bashkohen në diversitet, për një të mirë madhore. Sot edhe Shqipëria ka një parti të tillë. Ajo është Partia Demokratike e Shqipërisë. Partia që tani ka mision të vetëm shpëtimin e Shqipërisë. Dhe për këtë mision, bashkimi në diversitet i çdo force opozitare, do na bëj të pandalshëm”, u shpreh ai.

Mbyllja e fjalës së zotit Berisha shënoi dhe fundin e protestës përpara godinës së qeverisë, dhe spostimin e saj drejt Bashkisë së Tiranës, ku opozita mblidhet çdo javë prej më shumë se tre muajsh, duke kërkuar dorëheqjen e kryebashkiakut socialist Erion Veliaj, që kur disa drejtorë të rëndësishëm të tij u arrestuan nën dyshimet për korrupsion.

Molotovët nuk munguan as drejt ndërtesës së Bashkisë, ndërkohë që momente tensioni u shënuan kur grupe protestuesish u përpoqën të çanin kordonin e dendur të policisë, rreth e qark godinës. Tensione që nuk zgjatën shumë dhe u shuan me largimin e protestuesve. /VOA/