zoom

Lajme

LETRA/ Biznesmeni shqiptaro-amerikan Petro Gjikuria, zyrtarisht kandidat i Opozitës për Himarën

Biznesmeni i njohur shqiptaro-amerikan Petro Gjikuria, do të jetë kandidati i Opozitës për zgjedhjet e 4 gushtit në Bashkinë e Himarës, pasi KQZ i hoqi mandatin ish-kryebashkiakut të dënuar, Fredi Beleri. Përballë do të ketë prefektin socialist, ish-deputet i LSI, Vangjel Tavo.

Zyrtarizimi është bërë sot nga vetë sipërmarrësi në fushën e kulinarisë dhe hotelerisë, i cili në letrën e tij nuk shprehet për siglën, por kërkon mbështetje të këtij faktori dhe qytetarisë, për të ndryshuar gjendjen në Himarë.

Gjikurja ndër të tjera dënon arrestimin me “prova të fabrikuara” të Belerit dhe thotë se nëse zgjidhet kryebashkiak, portat e Tiranës, Evropës dhe Botës do jenë të hapura për Himarën.

Mësohet se pas negociatave mes PBDNJ dhe Partisë Demokratike, është rënë dakord që opozita të garojë për Bashkinë Himarë me emrin e biznesmenit shqiptaro-amerikan, Petro Gjikuria. Pavarësisht se prej ditësh ishte përfolur emri i Petro Belerit, djali i Afred Belerit për të qenë kandidat, dy forcat politike nuk kanë rënë dakord për të qenë ai kandidati për Himarën.

Mesazhi i plotë i Gjikurias:

“Të dashur bashkëqytetarë!
Bashkia Himarë nuk ka më kohë për të humbur. Prej vitesh, vendi ynë Himara, Lukova dhe Vranishti kanë mbetur pas ndërsa bota përparon. Një vend i bekuar, me bukuri natyrore mahnitëse, me njerëz të aftë dhe punëtorë që kanë shkëlqyer kudo në botë, sot nuk është i denjë as për mundësitë, as për paraardhësit tanë, as për qytetarët e vet, dhe aq më tepër për fëmijët tanë.
Prej 12 vitesh Bashkia nuk pati forcën të planifikojë dhe materializojë ato çka nevojiten. Një kryetar bashkie partiak, zbatues i urdhrave të qeverisë, shpërdoroi shumë kohë për të bërë shumë pak.
Kur qytetarët e Himarës vendosën të ndryshonin kryetarin e bashkisë, nuk u lejuan. Ish kryetari humbës i zgjedhjeve vazhdoi të qëndrojë në drejtimin e Bashkisë dhe Kryebashkiaku fitues, Fredi Beleri, e pa veten pas hekurave të burgut me akuza të fabrikuara. Gjatë gjithë kësaj kohe Himara mbeti pa kryetar bashkie.
Duke parë të gjitha këto dhe pasi mësova për shpalljen e zgjedhjeve vendore në datën 4 gusht, mora vendimin të bëj një hap përpara për vendin, të shpall kandidaturën time për Kryetar të Bashkisë Himarë dhe të kërkoj nga partitë politike, nga shoqatat e ndryshme dhe nga çdo bashkëqytetar të mbështesë këtë kandidaturë dhe të ecim së bashku përpara për të nesërmen e Himarës.
Kam lindur në Dhërmi dhe vij nga një familje që ka luftuar për dy gjëra të shenjta: për Vendin dhe për Demokracinë. Kam punuar fort në Greqi dhe në SHBA dhe kam mësuar shumë duke punuar në fushën e kulinarisë dhe hotelerisë, por edhe në organizata të ndryshme të diasporës dhe të gjitha këto dije dhe eksperienca dëshiroj t’i vendos në funksion të vendit tim, duke punuar së bashku me bashkëqytetarët e mi për mirëqenien dhe zhvillimin e Himarës në të gjitha fushat.
Në datën 4 gusht nuk votojmë për të zgjedhur Kryeministër, votojmë për Kryetar Bashkie! Votojmë për të nesërmen e Himarës!
E nesërmja në Bashkinë Himarë nuk do të ketë përjashtime, nuk do të ketë fëmijë të nënës dhe njerkës, banorë të përhershëm dhe të përkohshëm, socialistë dhe demokratë, tanët dhe të atyre.
Nuk do të ketë korrupsion, nuk do të ketë pasiguri për pasurinë e çdo qytetari, nuk do të ketë Kryebashkiak të emëruar që zbaton verbërisht urdhrat e të gjithë atyre që duan të uzurpojnë pronat tona, ngado qofshin ata.
Jemi të gjithë banorë të Himarës dhe nuk duhet të lejojmë askënd të na përçajë, sado lart qoftë ai. Mbi të gjitha dhe para së gjithash është interesi i zonës!
E nesërmja për Bashkinë Himarë ka program, atë që vendosën qytetarët me shumicë votash në maj të vitit të kaluar.
E nesërmja ka punë, ka zgjidhje, ka investime, ka Evropë, ka Demokraci, të cilën para së gjithash e garanton kryetari i Bashkisë. Ka Kryebashkiak që do të ketë porta të hapura në Tiranë, në Bruksel, në Athinë, por edhe në Uashington, për të kërkuar më të mirën për të nesërmen e Himarës.
Me këto fjalë kërkoj mbështetjen dhe votën tuaj!
Petro Gjikuria
Kandidat për Kryetar i Bashkisë Himarë”. /ZOOM.AL/