zoom

Lajme

“Ndizet” gjysmëfinalja Francë-Spanjë, Grizman: S’i kemi frikë! De la Fuente: Dimë si ndalet Mbappe

Evropiani i Gjermanisë rikthehet në fushë dhe ekran ditën e nesërme, me një tjetër finale të parakohshme: Francë-Spanjë, një takim jo vetëm sportiv, por edhe gati historiko-politik për shkak të raporteve ndër shekuj dhe luftrave.

Dy skuadrat në fakt nuk janë ndeshur kurrë më parë në një finale, teksa polemikat dhe deklaratat në distancë janë ndezur. Ndeshja luhet nesër, në orën 21:00 të mbrëmjes. Sfida tjetër është një tjetër takim me prapavijë gati historike, Holandë-Angli. Një nga këto shkon në finalen e madhe dhe takimi luhet të mërkurën.

Franca nuk ka qenë ajo e Botërorit. 3 gola në 5 ndeshje, 2 prej tyre autogola dhe një penallti e Mbappe-s, janë shifra që shqetësojnë me të drejtë opinionin në Francë. Nuk fshihet as trajneri Deschamps, fundja ky nuk është një opinion, por këto janë fakte që me qetësi i pranon edhe tekniku i “gjelave”, por fakt është gjithashtu që ekipi i tij është pjesë e katër ekipeve më të mira në “Euro2024”:

“Këto nuk janë kritika, janë fakte. Nuk jemi efikas në fazën ofensive, por kjo nuk na pengoi të jemi mes katër ekipeve më të mira”, theksoi Deschamps duke u ndalur më pas te ylli i këtij ekipi, Kylian Mbappe:

“Kemi bërë gjithçka për të, së bashku me stafin mjekësor. Edhe gjatë fazës përgatitore ka pasur probleme me shpinën, por Kylian është aty, edhe pse nuk është në 100%. Unë jam i bindur që Mbappe për çdo rivalë do të jetë rrezik, mjafton thjesht ideja që ata e dinë se Mbappe do të jetë aty”, u shpreh Deschamps.

Spanjë-Francë, sfida e parë gjysmëfinale pritet me padurim nga tifozët, por dhe vetë lojtarë, si në rastin e Griezmann, i cili deri më tani nuk ka arritur të lë gjurmë: “Asnjë skuadër nuk na tremb. Duhet të kemi besim te vetja jonë, dhe të japim gjithçka në fushë për të arritur në finale, mungon vetëm një ndeshje për ta bërë këtë. Është fantastike të arrish gjithnjë mes katër ekipeve më të mira. Spanja është një skuadër e madhe, me një trajner të ri që po bën mirë dhe me lojtarë të rinj si Yamal dhe Williams. Tani është radha jonë për t’i bërë keq në sulm dhe t’i bllokojmë këto lojtarë në mbrojtje”, u shpreh Griezmann.

Por Spanja beson. Mbi të gjitha pasi kaluan Gjermaninë, besojnë se mund t’i shkojnë deri në fund këtij Evropiani. Luis de la Fuente, arkitekti i këtij ekipi, nuk fshihet në këtë pikë, i vetëdijshëm se ka në dispozicion të gjithë elementët për të realizuar këtë objektiv, ka lojtarë si Yamal dhe Nico Williamns, dy talente që po spikasin në “Euro2024”:

“Është e vërtetë, kur ke dy lojtarë të tillë kaq të shpejtë, që bëjnë kaq shumë trazicione, je i rrezikshëm, por ne duhet të jemi të kujdesshëm ndaj kundërsulmeve, je i ekspozuar kur luan kaq lart. Nuk mund të lush gjatë gjithë kohës me 100 km/h, nuk është ky slogani im”, u shpreh De la Fuente duke u ndalur më pas te Yamal, te fakti që shpesh mërzitet kur zëvendësohet:

“Nuk e kam parë asnjë herë të mërzitur. Një lojtar duhet të kuptojë se skuadra vjen e para, duhet të ketë gjithashtu respekt ndaj atij që futet në fushë”, u shpreh trajneri i Spanjës, duke u ndalur në fund te Franca, a ka një plan për të ndalur Mbappe?

“Lojtarë me karakteristika të tilla, si Mbappe apo Dembele, që janë të shpejtë dhe godasin, ndihma e shokëve është shumë e rëndësishme. Është e vetmja mënyrë për t’i ndalur, plus ekuilibri në skuadër”, theksoi ndër të tjera De la Fuente.

Spanja duhet të bëjë nga këto e deri në fund pa shërbimet e Pedrit, i cili pësoi një dëmtim në gju, ndërsa nuk do të ketë në dispozicion për shkak kartonësh edhe Carvajal dhe Le Normand. /ZOOM.AL/