zoom

Lajme

Mbappe apo i preferuari i tij Ronaldo, “gjelat” francezë apo “piratët” portugezë…?

Portugalia, pasi vuajti shumë me Slloveninë në rrugën e saj gjen Francën, e cila po ashtu në këtë Europian nuk ka patur shkëlqimin që pritej.

Luzitanët kaluan në çerekfinale vetëm pas goditjes së 11-metërshave, ndërsa Franca mori biletën për mes tetë më të mirave falë një autogoli përballë Belgjikës pak minuta para fundit të kohës së rregullt.

Portugezët kanë patur një performancë në rënie, teksa pas dy ndeshjeve të para në grup, u mundën nga Gjerogjia në ndeshjen e tretë e mezi avancuan përballë sllovenëve. Diogo Costa ishte heroi i portugezëve me 3 penallti të pritura. Cristiano Ronaldo përtej dëshirës që ka për të ndihmuar skuadrën, në ndeshjen e fundit dëshmoi se nuk është më ai i pari.

Disa raste të humbura dhe një 11-metërsh i shpërdoruar, e shumë lot, të cilat në të shkuarën nuk ishin parë tek kapiteni i portugezëve. Trajneri Martinez e la në fushë Ronaldon deri në fundin e lojës, ndoshta si një shenjë besimi, ose dëshmi se Ronaldo është edhe mbi trajnerin. Me 39 vite mbi super, Ronaldo nuk është më i njëjti, por ndaj Francës mund të ketë shansin për të treguar se ai mbetet po aq i rëndësishëm për Porgualinë, sa në vitet e tij të arta.

Franca në anën tjetër ka shënuar 3 gola, ose më saktë i është falur 2 autogolave, dhe një 11-metërshi të kthyer në gol nga Kylian Mbappe. Kapiteni, i cili që pas ndeshjes së parë të grupeve luan me hundën e thyer dhe një maskë, nuk ka arritur që të përligjë pritshmëritë e tifozëve francez. “Gjelat”, natyrisht që mbeten një skuadër tepër kompakte, një skuadër që krijon shumë, por që nuk arrin dot të konkretizojë siç duhet rastet që i ofrohen.

Mbappe po e udhëheq për herë të parë skuadrën në një Europian si kapiten, e ndaj ndjen më tepër përgjegjësi, por tashmë nis lufta e vërtetë, e te Franca e dinë se tashmë nuk ka më vend për gabime.

Portugali-Francë është dhe finalja e Euro 2016, sfida në të cilën Portugalia mori trofeun pas kohës shtesë, por tashmë gjërat kanë ndryshuar, pasi që nga ajo finale, Franca ka fituar një Kupë Bote e ka shkuar një herë tjetër në finale. Në 28 përballjet direkte, Franca ka fituar 19, 3 ndeshje janë ndarë në barazim, ndërsa 6 kanë shkuar në favor të luzitanëve.