zoom

Lajme

Nis protesta e opozitës te Bashkia, vendosen gomat! Policia pa gardh metalik: Të arrestohet Veliaj!

Nis protesta e opozitës para Bashkisë së Tiranës, ku kërkohet për të 15-ën herë radhazi dorëheqja e kryebashkiakut socialist Erjon Veliaj, pas skandalit me dosjen “5D” të drejtorëve të institucionit.

Edhe kjo e premte e ka gjetur opozitën në protestë, bashkë me Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar. Protestuesit kanë marrë sërish goma të vjetra, ndërsa i kanë vendosur para bashkisë, për t’u vënë flakën. U vu re se Policia përsëri nuk kishte vendosur gardh metalik.

Kurse nënkryetari i Këshillit Bashkiak, njëkohësisht edhe këshilltari ekonomik i PD-së, Dorian Teliti, u shpreh se vetëm 6 ditë i ndajnë shqiptarët nga 11 korriku, kur bulevardi do të mbushet plot.  Ai shtoi se e vetmja rrugë është krijimi i qeverisë teknike dhe zgjedhje të lira e të ndershme.

“Ndodhemi sot para godinës së korrupsionit që po shkërmoqet nga forca e rezistencës qytetare. Tirana nuk ka vend për abuzues e hajdutë por vetëm për ndershmërinë. Ju policë që sot ruani godinën e krimit thirrini mendjes. Pak ditë na ndajnë nga 11 korriku, ku e gjithë Shqipëria do të mbushë bulevardin për të dhënë një mesazh të qartë e të fortë që Tiran e gjithë Shqipëria nuk e do më këtë mazhorancë dhe e vetmja rrugë është krijimi i qeverisë teknike dhe zgjedhje të lira e të ndershme.

6 ditë na ndajnë nga dita kur do zbrazim këtë godinë dhe Kryeministrinë. Të rezistojmë sepse e drejta do të vijë dhe do të jetë me qytetarët”, tha ai ndër të tjera.

Kurse kreu i organizimit në Partinë Demokratike, Klevis Balliu, në fjalën e tij në Bashkinë e Tiranës, u shpreh se Bashkia e Tiranës është kthyer në një vend ku vijnë rilindasit dhe marrin para. Ai tha se e vetmja mënyrë që të vendoset drejtësia, është arrestimi i kryebashkiakut Erjon Veliaj.

“Shpreh mirënjohjen ndaj qëndrestarëve që përballen me një pushtet të korruptuar e të lidhur me organizatat më të rrezikshme kriminale. Pa arrestuar Erjon Veliaj nuk ka drejtësi. Është ai që ka sjellë për herë të parë në botë një pishë 3 mijë euro e një palmë 6 mijë euro. Është kthyer Bashkia e Tiranës në një vend ku vjen një Rilindas, ikën një tjetër, marrin disa para e ikin në shtëpi.

As SPAK e askush nuk i bën dot për budallenj qytetarët e t’ju thotë që nuk dintë gjë Veliaj e Rama”, tha ai. /ZOOM.AL/