zoom

Aktualitet

Hije skandali/ Mjeku Gashi u arratis? Policia duhet ta shoqëronte në Gjykatë e banesë, ja procedura

Hije skandali me masat e sigurisë në Gjykatën e Tiranës për grupin e mjekëve të dosjes së Onkologjikut, që bënin biznes me jetët e të sëmurëve me kancer.

Dhe pikërisht mjeku i akuzuar si “koka” e grupit të abuzimeve dhe përfitimeve financiare, Edmond Gashi, është bërë përsëri protagonist me një gjysmë arratie nga Gjykata.

Teksa u filmua duke vrapuar pas godinës së Gjykatës dhe qytetarët i thërrisnin “Hajdut”, u zbulua edhe shkelja e rëndë proceduriale, që ndoshta mund të përfundojë në arrati nëse nuk sqarohet zyrtarisht se çfarë ka ndodhur edhe nga uniformat blu.

Policia e Shtetit ka bërë një shkelje të përsëritur dy herë në rastin e mjekut Gashi dhe që ndoshta mund të përfundojë keq. Paraprakisht masa ndaj tij kishte qenë “arrest shtëpie” njofton Gjykata e Tiranës. Pra sipas Procedurës Penale, mjeku duhet të shoqërohej me makinë Policie në Gjykatë, nga toga përkatëse e shoqërimit që lidhet edhe me institucionin, e përcaktuar sipas protokollit ligjor.

Por kjo nuk ka ndodhur. Madje jo vetëm kaq, sepse në njoftimin zyrtar sqarohet se teksa trupa gjykuese vendosi në fuqi masën paraprake arrest shtëpiak, në momentin që palët largoheshin, Gashi, edhe sipas pamjeve filmike të transmetuara, u largua me vrap, i shoqëruar nga një tjetër person.

Kjo ishte shkelja e dytë, sepse në momentin që jepet masa arrest shtëpie, sipas procedurës, ai merret nga policia në pranga ose jo, futet në makinë, dërgohet në banesë për ekzekutim vendimi dhe njihet me protokollin që duhet të zbatojë, pra të mos e thyejë masën.

Nëse nuk vendoset mbikëqyrje elektronike me byzylyk, qëndron një efektiv te dera e banesës. Por çuditërisht kjo nuk ka ndodhur dhe Gjykata e Tiranës e njeh shkeljen e bluve edhe në njoftimin zyrtar si më poshtë. Tani i mbetet Policisë së Shtetit që të sqarojë dhe marrë masat për rastin.

Njoftimi i Gjykatës së Posaçme:

“Referuar interesit të shfaqur mediatik, nëpërmjet disa komenteve dhe pamjeve filmike të shfaqura ditën e sotme, në disa portale/media on line, komunikohet informacioni zyrtar në vijim:

  1. Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Dhoma Penale, me vendimin numër 1585, datë 19.06.2024, ka vendosur, ndër të tjera: “Caktimin e masës së sigurimit  “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale ndaj personit nën hetim E. G., i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të Detyrës” parashikuar nga neni 248 i K.Penal. ………. “
  2. Me vendimin Nr. 1651, datë 27.06.2024 Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Dhoma Penale, ka vendosur ndër të tjera: “Miratimin dhe vazhdimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale ndaj personit nën hetim E. G., i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të Detyrës” parashikuar nga neni 248 i K.Penal”.

Referuar vendimeve të sipër cituara, ndaj personit nën hetim E. G., është cktuar nga Gjykata, masa e sigurimit personal shtrëngues, “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale .

Kështu, në datën 27.06.2024, për paraqitjen dhe pjesëmarrjen e tij në seancën e caktuar për “Komunikimin e masës së sigurimit personal të caktuar në mungesë nga Gjykata”, në zbatim të nenit 248 të K.Pr.Penale, personi nën hetim E. G., do të duhej të ishte i shoqëruar nga punonjës të policisë së shtetit, të cilët në zbatim të vendimit të gjykatës si dhe në referim të nenit 237 të K.Pr.Penal, duhet të ndjekin dhe të zbatojnë me përpikmëri vendimet e gjykatës, si dhe zbatueshmërinë e masave të sigurimit.

Me përfundimin e seancës gjyqësore, pasi gjyqtarja ka lënë sallën e gjyqit, po kështu me radhë pas saj edhe prokurori, avokatët, si dhe vetë personat nën hetim, shtetasi E. G., teksa ka qënë në korridorin e katit të parë të gjykatës, duke përfituar nga një moment i vetëm në të cilin një punonjëse e gjykatës ka qënë duke dalë në rrethana krejtësisht rastësore nga dera e cila shërben për hyrjet dhe daljet e autorizuara vetëm të gjyqtarëve dhe punonjësve të gjykatës (me karta të posaçme), ka dalë i shoqëruar edhe nga një shtetas tjetër, duke u larguar me vrap, i pashoqëruar nga asnjë punonjës i Policisë së Shtetit”. /ZOOM.AL/