zoom

Lajme

Sot mund të jetë ditë historike për Shqipërinë, skenarët që na kualifikojnë e një triller dypikësh

Sot mund të jetë një ditë e shënuar në librat e historisë shqiptare dhe veçanërisht sportit.

Shqipëria do të masë forcat me Spanjën në një ndeshje deçizive të Grupit B, ku do kërkojë suksesin në mënyrë që të kalojë grupet e Europianit. Skenari kryesor mbetet fitorja, renditja me 4 pikë si të dytët apo të tretët dhe me kualifikimin praktikisht në xhep fal një golavarazhi më të mirë dhe situatës në grupet e tjera aktualisht, që na favorizon.

E treta e parë e grupeve është Hungaria, e cila bëri gjysmë nderi duke mundur Skocinë në minutën 101 mbrëmë, por barazimi do kishte qenë më ideali, sepse do rendiste Skocinë me 2 pikë si të tretën e parë dhe me golavarazh shumë të keq, pra matematikisht e skualifikuara e parë e vendit të tretë, duke i dhënë shanse kuqezinjve që edhe nëse barazonin me Spanjën të shpresonin kualifikim me dy pikë.

Skenari i dytë pra mbetet barazimi me Spanjën dhe të presim që një nga grupi C ku ndodhen Serbia dhe nga Grupi F ku ndodhet Çekia, të renditen me 2 pikë, pasi mundësitë janë dhe kuqezinjtë të kalojnë me golavarazhin më të mirë.

Skenari i tretë mbetet fitorja e Shqipërisë me Spanjën, kapja e vendit të tretë nëse Italia fiton apo Kroacia fiton me Italinë me rezultat shumë të thellë, dhe pritja e ndeshjeve në 4 grupet e tjera, me shpresën se asnjë e tretë tjetër nuk do ketë golavarazh më të mirë se kuqezinjtë.

Humbja automatikisht është skenari disfatist sepse na skualifikon. E dyta e grupit tonë do përballet me Zvicrën dhe mund të ketë derbi shqiptarësh. E para pret një nga të tretat në grupet, pra Spanja pret një nga të tretat e A,E,F,D, kurse e treta një nga grupet F ose E, aty ku ndodhen Belgjika dhe Portugalia.

Gjimshiti u shpreh optimist, teksa Daku u dënua dy ndeshje nga UEFA. Ekipi mbetet i plotë, pa dëmtime dhe Silvinjo e ka mbajtur sekret formacionin.

“De La Fuente do shikojë skuadrën e tij. Ai është kualifikuar, sido që të shkojë puna. Ata lojtarë do të tregojnë aftësitë e tyre. Duan t’i dërgojnë mesazh trajnerit”, tha tekniku i njohur Mirel Josa, duke theksuar se kuqezinjtë duhet të luajnë vetëm për fitore. “Unë kam besuar se do i marrim pikë Kroacisë. Ndaj Italisë nuk luajtëm mirë dhe u mundëm. Le të shikojmë nesër. Nuk është se të gjithë kanë menduar që do të pësojmë shumë gola. Nesër është një ndeshje kur duhet të luajmë lirshëm”, tha ai.

De la Fuente u shpreh se Spanja do e luajë takimin sikur të ishte i fundit, pavarësisht zëvendësimeve të shumta. /ZOOM.AL/