zoom

Aktualitet

Spanja e kërkonte për vrasje dhe organizatë kriminale, kapet i fshehur në Durrës 49-vjeçari

Një i shumkërkuar nga drejtësia spanjolle u kap sot në vendin tonë. Policia njoftoi se u arrestua në Durrës një 49-vjeçar me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Bëhet fjalë për shtetasin me inicialet A.M. 49-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Orgivas, Spanjë, në vitin 2022, i ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprën penale “vrasja”, e kryer në kuadër të grupit kriminal.

Interpol Tirana bëri me dije se vijon të bashkëpunojë me homologët në Spanjë, për të finalizuar ekstradimin e 49-vjeçarit, në Spanjë.

“Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH finalizoi operacionin policor të koduar “Operacionalja 11”. Kapet në Durrës, një shtetas me rrezikshmëri shoqërore të lartë, i akuzuar në Spanjë, për vrasje, në kuadër të grupit kriminal.

Në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit” dhe si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, gjatë operacionit policor të koduar “Operacionalja 11”, lokalizoi në lagjen nr. 13, Durrës, kapi dhe vuri në pranga shtetasin A. M., 49 vjeç, i lindur në Durrës”, thuhet në njoftimin zyrtar.

49-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar prej dy vitesh dhe pritet ekstradimi i tij pasi të dalë në Gjykatë për masë. /ZOOM.AL/