zoom

Lajme

UEFA nis hetim për Mirlind Dakun, sulmuesi kërkon ndjesë

Sulmuesi i Kombëtares Shqiptare, Mirlind Daku është nën hetim nga UEFA.

Shkak për këtë vendim të UEFA-s u bë një video virale pas ndeshjes së Shqipërisë me Kroacinë, ku Mirlind Daku, iu bashkua thirrjeve ofenduese ndaj popullit të Maqedonisë së Veriut.

“Në përputhje me nenin 31(4) të Rregullores disiplinore të UEFA-s, një Inspektor i Etikës dhe Disiplinës i UEFA-s është caktuar sot për të kryer një hetim në lidhje me sjelljen e mundshme raciste dhe/ose diskriminuese nga mbështetësit që dyshohet se kanë ndodhur në kuadër të Kampionatit Europian 2024 në ndeshjen e fazës së grupeve ndërmjet ekipeve përfaqësuese të Federatës Kroate të Futbollit (HNS) dhe Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), e luajtur më 19 qershor 2024 në Hamburg të Gjermanisë.

Në lidhje me ndeshjen e fazës së grupeve të Kampionatit Europian 2024 ndërmjet ekipeve përfaqësuese të Federatës Kroate të Futbollit dhe Federatës Shqiptare të Futbollit të luajtur më 19 qershor 2024 në Hamburg të Gjermanisë, është hapur një hetim në lidhje me sjelljen e supozuar të papërshtatshme të lojtarit të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), z. Mirlind Daku.

Informacione të mëtejshme në lidhje me këtë çështje do të vihen në dispozicion në kohën e duhur”, shkruan UEFA në komunikatën e saj.

Pas njoftimit të UEFA-s, Mirlind Daku reagoi në rrjetet sociale, duke kërkuar ndjesë për fyerjet e tij.

“Si çdo futbollist, në ato momente emocionet janë në një nivel tjetër, ku vetëm brenda fushës mund të kuptohen, është e vështirë të përshkruash ndjenjën e të luajturit për këtë Kombëtare, për këta tifozë të mrekullueshëm që na japin dashni pa kufi, ashtu siç është dhe moto jonë, “Shqipëri dashni pa kufi”.

Ndjesë nëse kam fyer dikë pas ndeshjes me Kroacinë, afekti i lojës e bën të vetën, unë vazhdoj të punoj së bashku me gjithë grupin rreth ëndrrave tona.

Falja është burrërore dhe e ndjej obligim moral dhe profesional ta bëj një gjë të tillë, për gjithë ata që janë lënduar”, tha Mirlind Daku.