zoom

Aktualitet

Erion Çaka emërohet drejtori i ri i përgjithshëm i Agjencisë së Trajtimit të Pronave

Agjencia e Trajtimit të pronave do të ketë drejtues të ri.

Me propozim të ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, sot është emëruar drejtori i ri i Përgjithshëm të Agjencisë së Trajtimit të Pronave, Erion Çaka.

Zyrtarisht konfirmohet lajmi nga institucioni dhe bëhet me dije se deri më sot, Çaka ka mbajtur pozicionin e drejtorit të Drejtorinë për Marrëdhëniet Juridiksionale dhe Bashkëpunimin Ndërgjyqësor në Ministrinë e Drejtësisë.

“Çaka vjen në këtë detyrë me një përvojë të gjerë në fushën e drejtësisë dhe marrëdhënieve juridike ndërkombëtare. Ky emërim pritet të sjellë një qasje të re dhe efektive në trajtimin e çështjeve të pronësisë, duke synuar përmirësimin e shërbimeve dhe zgjidhjen më të shpejtë të problemeve të qytetarëve lidhur me pronat”, njoftoi ministria.

Ministri Manja u shpreh i bindur se “Çaka do të kontribuojë ndjeshëm në realizimin e objektivave të Agjencisë dhe përmbushjen e misionit të saj”. /ZOOM.AL/