Komisariati i Policisë Krujë njoftoi sot se në drejtimin e Prokurorisë Tiranë ka kryer një operacion për goditjen e fenomenit kriminal të kultivimit të bimëve narkotike.

Në vijim të punës për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike dhe në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional “Territor i pastër”, u ushtruan kontrolle në terren dhe kryesisht ambiente të mbyllura.

“Gjatë kontrolleve në fshatin Burz Mal dhe në fshatin Shkretë, u konstatuan disa ambiente të përshtatura për kultivim, në të cilat u gjetën 1150 bimë të dyshuara narkotike kanabis. Një pjesë e tyre u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua me anë të djegies”, tha policia vendore.

Teksa po hetohet edhe për autorët e kultivimit dhe të zgjedhurit vendorë për shpërdorim detyre, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, parashikuar nga neni 284 i Kodit Penal. /ZOOM.AL/