zoom

Lajme

Ish-kryeministri: Taksimi i profesioneve të lira arbitrar, me qëllim që të largohen nga Shqipëria!

Ish-Kryeministri Sali Berisha, tha në takimin e radhës me mbështetësit e tij demokratë, se taksimi i profesioneve të lira është një akt që synon një goditje mëshire për qenien tonë kombëtare.

Nga ballkoni i banesës ku qëndron në arrest shtëpie pas vendimeve të njëpasnjëshme të GJKKO-së, ai tha se profesionet e lira janë disa dhjetëra mijëra djem, vajza, burrë, gra, njerëz duhet të pranojmë të zot, të aftë, që kanë vendosur të fitojnë jetën e tyre me profesionin që kanë.

“Ata kanë vendosur të mos i vardisen, të mos i luten kujt për punë në shtet, por të ndjekin punën e tyre. Këto profesione, kjo shtresë përbën shtresën e kohezionit të një shoqërie në çdo vend të lirë. Pikërisht u vendos në mënyrën më arbitrare, më armiqësore ndaj shqiptarëve dhe ndaj tyre, që të tatohen aq sa në asnjë vend tjetër të Europës.

Dhe që të detyrohen ose t’i bëjnë të ndaluara shërbimet e tyre për qytetarët, pra të rrisin çmimet, ose të largohen nga Shqipëria. Me eksperiencën që kanë, të shkojnë në vende të tjera dhe qytetarët të mbeten pa shërbimet, të cilat në tërësi janë shërbime jetike për çdo shoqëri, për çdo komb”, tha Berisha.

Në fjalën e tij, kreu demokrat tha se regjimi me qëndrimet e tij përpiqet të shpërbëjë qenien e kombit shqiptar.

“Denonconi vjedhjet e pakufishme dhe të paimagjinueshme. Denonconi lidhjet e tmerrshme me krimin që e shndërruan Shqipërinë në narkodiktaturë. Denonconi dhunimin e lirive dhe të drejtave të shqiptarëve, kombi i vetëm sot me drejtësi të munguar. Denonconi me të drejtë çmimet ndër më të lartat në Europë, ndërkohë që xhepat janë me të ardhura më të ulëtat në Europë. Denonconi rrënimin e rrufeshëm të kulturës së kombit, institucioneve kulturore kombëtare si kurrë ndonjëherë në ekzistencën e tij të lirë.

Denonconi me të drejtë shpartallimin e sistemit të shëndetësisë. Sot qytetarët e këtij vendi, me shëndetësinë e premtuar falas nga kryehajduti i kombit, paguajnë sipas Bankës Botërore për kujdesin e tyre shëndetësor, më shumë se çdo qytetar tjetër në Europë”, theksoi ish-kryeministri. /ZOOM.AL/