zoom

Aktualitet

Zjarri në Shkodër vihet nën kontroll me “Cougar”, por s’është shuar ende. Dëme të pallogaritshme

Teksa flakët që përfshinë tregun në qytetin e Shkodrës në rrethana dhe shkaqe ende të panjohura ende nuk janë shuar, autoritetet thanë se ato janë vendosur nën kontroll, duke penguar përhapjen e vatrës më tej në lagjen “Qafëhardhi”.

Gjendja në Shkodër është stabilizuar edhe pas ndërhyrjes së helikopterit “Cougar” të Forcave Ajrore (foto kryesore), i cili ka hedhur ujë mbi zonën e prekur, por pasojat social-ekonomike janë të pallogaritshme.

Mendohet se deri tani dëmi është miliona euro në logjistikë, banesa dhe gjendje malli të tregtarëve, teksa bilanci përfundimtar do dalë nga hetimet. Deri tani raportohet edhe për 3 të plagosur, teksa mbërritën zjarrfikëse edhe nga Mali i Zi.

Sakaq, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka njoftuar se operacioni vijon për izolimin e plotë të zjarrit, për të shmangur çdo mundësi riaktivizimi.

“Live nga ndërhyrja e helikopterit #Cougar, i cili ka bërë që situata e zjarrit në lagjen Qafhardhi në Shkodër të përmirësohet. Me hedhjen e ujit nga ajri, flakët tashmë janë nën kontroll. Operacioni vijon për izolimin e plotë të tij, për të shmangur çdo mundësi riaktivizimi”, shkroi Peleshi në Facebook.

Rrethanat dhe shkaqet mbeten ende mister sipas policisë dhe kanë nisur paralelisht hetimet. Dyshohet se një shkëndijë elektrike dhe harrimi ndezur i ndonjë pajisjeje mund ta ketë shkaktuar ngjarjen. Nuk përjashtohet edhe zjarrvënia e qëllimshme për motive konkurrence apo investimi. /ZOOM.AL/