zoom

Lajme

Këlliçi denoncon skandalin tjetër të Veliaj: Nga 38 euro për ton, u rrit tarifa e mbetjeve 2.5 herë

Partia Demokratike ka vijuar me denoncimet e radhës, përsa i takon inceneratorit të Tiranës, ndërsa ka lëshuar akuza në drejtim të kryebashkiakut Erion Veliaj në skandalin e radhës.

Në një dalje për mediat, i deleguari politik i qarkut Tiranë, Belind Këlliçi, theksoi se tarifa e propozuar për të gjithë zinxhirin e trajtimit të mbetjeve ishte 38 euro për ton, ndërsa shtoi se Veliaj e rriti me 2.5 herë.

Deklarata e Këlliçit:

“Përshëndetje dhe faleminderit gazetarëve që kanë treguar interes dhe kanë ardhur në këtë konferencë, e cila në fokus ka skandalin e korrupsionit dhe vjedhjeve në Bashkinë e Tiranës.

Jemi këtu për të demontuar mashtrimin mbase më të madh të kryetarit të Bashkisë së Tiranës në lidhje me studimin e IFC të vitit 2014, ku pretendimi i përsëritur në vite ka qenë se bazuar në këtë studim që kishte një tarifë prej 38 eurosh për ton për pastrimin e Tiranës, Erion Veliaj pasi u shpall kryetar bashkie në vitin 2015, vendosi të ketë një tarifë prej 29 eurosh, duke ulur kështu koston.

Por ndërkohë, si çdo pretendim i Erion ne sot do demontojmë me fakte dhe prova të pakundërshtueshme, për herë të parë do bëjmë publik raportin e IFC të vitit 2014, i cili nuk gjendej kur është kërkuar nga Komisioni Hetimor i Inceneratorëve në vitin 2022. Unë e kam kërkuar me ngul këtë material, por çuditërisht as Bashkia e Tiranës dhe as Ministria e Financave nuk e dispononin këtë material.

Për fatin e mirë, sot në Bashkinë e Tiranës vijon të ketë punonjës të ndershëm, të cilët para pak javësh kanë sjellë një kopje origjinale të studimit të BB dhe IFC dhe ne kemi pasur mundësinë gjatë kësaj periudhe të hulumtojmë me detaje mbi këtë propozim që i ka ardhur Bashkisë së Tiranës në kohën që drejtohej nga PD.

Po ta shihni që në hyrje të projektit, të pesë pikat kryesore sqarojmë se ky propozim që ka ardhur në atë periudhë, që kishte tarifën 38 euro për ton, ishte për pastrimin e qytetit dhe rrugëve, mbledhjen e transportin e mbetjeve, zgjerimin e landfillit të Sharrës për një depozitim afatgjatë, depozitimin e mbetjeve në landfill dhe përpunimi dhe trajtimi i mbetjeve.

Që të jemi të qartë, këto 5 pika përfshijnë çdo proces që ka të bëjë me pastrimin, përpunimin dhe depozitimin e plehrave në Tiranë. Studimi i IFC bënte një përllogaritje për një periudhë 20-vjeçare, duke përllogaritur sasinë totale të mbetjeve që do përpunoheshin në të dhënat zyrtare, që nëse e shihni në pikën e fundit, sasia totale shkonte në 250 mijë ton në vit. Duke përfshirë mbetjet e Tiranës në bashki dhe komuna e fshatrat.

Në faqen e fundit ka një përmbledhje ku 12 euro për ton do ishte tarifa për depozitimin e mbetjeve dhe 26 euro do ishte mbledhja e mbetjeve. Pra, e thënë fare qartë, ka pasur një tarifë prej 38 eurosh, por për të mbyllur të gjithë zinxhirin e trajtimit të mbetjeve.

Por ne sot që flasim paguajmë 29 euro për ton për një incenerator që nuk ekziston dhe kjo tarifë është rreth 12 milpionë euro nëvit. Dhe bazuar në të dhënat zyrtare të Bashkisë së Tiranës, vetëm për pastrimin e qytetit, ne kemi paguar vetëm vitin e kaluar 16.7 milionë euro. Me një llogari fare të thjeshtë, totali shkon në 66.8 euro për ton. Kjo ka të bëjë për pastrimin e qytetit. Shtuar këtu edhe 29 euro për ton, tarifën e inceneratorit ku pronar faktik, e thënë kjo nga ish-numri dy i qeverisë, Arben Ahmetaj, se Erion Veliaj është pronari faktik, totali shkon në 95.8 euro për ton.

2.5 herë më shumë se propozimi i ardhur nga BB për të njëjtin projekt, por me standarde shumë më të larta. Ka një arsye pse dy ish-ministrat e Financave, Shkëlqim Cani dhe Arben Ahmetaj kanë refuzuar kërkesën e Erion Veliajt për dhënien e këtij koncesioni për 30 vite. Kjo sepse në studimin e BB thuhet se do nevojiteshin vetëm 20 milionë euro për të ngritur tre nukla të reja dhe zgjeruar landfillin e Sharrës.

Por fill pas këtij momenti, vjen ajo shkresë e famshme e Erion Veliajt më 27 mars të vitit 2017, ku me firmën e tij, me vulën e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka marrë përsipër të firmosë koncesionin 30-vjeçar, në shkelje të plotë të ligjit duke mos pyetur as Këshillin Bashkiak dhe as Këshillin e Qarkut.

Arsyeja ka qenë fare e thjeshtë, për shkak se ky ka qenë biznesi i Erion Veliajt. Ne kemi faktuar edhe lidhjet familjare të drejtorit të tij, Redi Molla në këtë biznes. Kemi publikuar edhe personat e lidhur me Ndraghetën italiane që kanë ardhur këtu për të marrë këtë biznes. Kjo ka qenë arsyeja pse Erion Veliaj ka firmosur këtë koncesion 30-vjeçar në shkelje të ligjit.

Por nëse SPAK ka ende vështirësi për këtë material ekskluziv, ju garantoj se ditën e sotme, në përfundim të konferencës për shtyp, do ia depozitojmë me firmë dhe vulë SPAK-ut për t’i ardhur në ndihmë organit të akuzës. Megjithatë, e rëndësishme është që të mbetet në thelb se kush ka qenë propozimi i ardhur nga BB dhe çfarë bën Erion Veliaj sot. Thelbi është se BB dhe IFC kanë sjellë një propozim për të gjithë zinxhirin e trajtimit të mbetjeve me tarifë 38 euro për ton.

Sot Erion Veliaj paguan 95.8 euro për ton, 2.5 herë më shumë, përmes investitorëve të tij të jashtëzakonshëm holandezë dhe me eksperiencë ndërkombëtare që quhen Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto. /ZOOM.AL/