zoom

Lajme

Frika nga huliganët, Angli-Serbi shpallet ndeshje me rrezikshmëri të lartë. Gjermania shton masat

Serbia dhe Anglia janë dy skuadra që do të përballen ditën e dielë, më 16 Qershor, në Gelsenkirchen për EURO 2024. Ata janë pjesë e grupit C së bashku me Slloveninë dhe Danimarkën.

Por orët e fundit, në Gjermani flitet se kjo ndeshje do të ketë një koeficient të lartë rrezikshmërie. Arsyeja? Huliganët serbë. Ata njihen tashmë për incidentet e shumta që shkaktojnë nëpër stadiume dhe ashtu si dikur hooliganët anglezë, janë gjithmonë një rrezik për cenuar sigurinë në mbarëvajtjen e një aktiviteti sportiv.

Në Gjermani janë duke marrë masat për këtë situatë. Autoritetet lokale atje, për të forcuar ndjeshëm sigurinë, në një kompeticion kaq shumë të rëndësishëm dhe po aq të ndjekur në të gjithë botën, kanë njoftuar se do të ketë një prezencë të shtuar të forcave të sigurisë, me afro 1300 efektivë të tjerë që do t’i shtohen skuadrës së oficerëve të sigurisë.

Për këtë ndeshje mediat gjermane raportojnë se do të jenë afro 500 huliganë serbë, të pajisur me mjete luftarake, ku sigurisht dy grupimet kryesore, Grobari dhe Delije, ultrasit e dy klubeve historike serbe, Partizanit të Beogradit dhe Crvena Zvezdës, do të jenë në krye të organizimit.

Le të shpresojmë, që pas ndeshjes Serbi-Angli, vëmendjen kryesore ta marrë ajo ç’ka do të dhurojnë të dyja këto skuadra në fushën e blertë dhe jo incidentet që mund të shkaktojnë dy tifozeritë. /ZOOM.AL/