zoom

Lajme

Apeli vendos sot për “Vulën e PD-së”, do ia japë Bashës apo Berishës partinë…?

Gjykata e Apelit pritet të shqyrtojë sot çështjen e vulës së PD-së, e cila prej 3 vitesh pretendohet se i takon Grupimit të Rithemelimit që drejtohet nga Sali Berisha.

Ndërkohë Lulzim Basha, referuar regjistrimit të partive politike njihet si kryetari legjitim i PD-së, duke bërë kështu që vulën dhe logon e kësaj partie, ta kontrollojë ai dhe mbështetësit e tij, në atë që njihet si PD zyrtare. Çështja në Apel do të shqyrtohet nga një treshe gjyqtarësh me relatore Alma Ahmeti, ndërsa dy anëtarët janë Iliba Bezati dhe Elona Toro.

Vendimi që do të marrë kjo treshe gjyqësore do të jetë një vendim i formës së prerë, por mund të bëhet rekurs më tej. Rithemelimi i drejtuar nga Sali Berisha ka arritur që të ketë nën kontroll numrin më të madh të deputetëve të dalë në zgjedhjet e fundit parlamentare (2021) nën siglën e PD-së. Gjithashtu Berisha, pavarësisht se nuk u përfaqësua me logon e PD në zgjedhjet e fundit lokale, arriti të marrë rreth 500 mijë vota, nën siglën e një koalicioni që u mbështet nga LSI (PL e sotme), PBDNJ dhe parti të tjera opozitare.

Pikërisht kjo është teza në që përplasjet që Berisha apo mbështetës të tij kanë pasur me Lulzim Bashën apo grupimin e tij, kanë përdorur në debatin se kujt i përket vula zyrtare e PD-së. Berisha dhe mbështetësit e tij pretendojnë se kanë shumicën e demokratëve dhe në kushte të tilla vula i përket pikërisht atyre. Në anën tjetër, Basha u rikthye në krye të PD-së pas një tërheqjeje pothuajse 1 vjeçare, duke ia deleguar drejtimin e partisë, Enkelejd Alibeajt.

Përplasjet në PD nga shtatori i 2021 deri në ditët e sotme kanë prodhuar lëvizje nga njëri krah në tjetrin të disa prej emrave dhe figurave të kësaj partie.

Kështu Gazment Bardhi, i cili në kohën kur Lulzim Basha vendosi përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar ishte Sekretar i Përgjithshëm i PD-së. Bardhi u rreshtua ndër kundërshtarët më të ashpër të Berishës. Me kalimin e kohës ai iu bashkua grupimit të drejtuar nga ish-kryeministri bashkë me shumë emra të tjerë ligjvënësish, në atë që u konsiderua si “bashkimi në diversitet mendimesh”. Dhe ofrimi me krahun e Berishës nartyrisht që krijoi përplasjen mes Bardhit dhe mbështetësve të Bashës, por ai vijoi të mbante pozicionin e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së. Dhe si për ironi, nëse në kohën kur ishte në krah të Bashës firmoste largimin nga Grupi i PD-së të deputetëve që ishin në krah të Berishës, sot është i njëjti që kërkon përjashtimin e deputetëve nga grupi, sepse janë në krah të Bashës.

Çështja për vulën e PD u gjykua në dhjetor të 2023-it në Gjykatën e Lartë, e cila vendosi ta rikthejë çështjen në Apel. Në vendimin e marsit 2024, Gjykata e Lartë kërkon një gjykim themeli, me një tjetër trupë gjykuese, nga ajo që kishte shqyrtuar njëherë këtë çështjes. Në vendim, Kolegji i Gjykatës së Lartë vlerëson se Apeli nuk ka kryer një hetim të plotë të çështjes, nuk ka kuptuar natyrën e mosmarrëveshjes dhe ka interpretuar gabim normat dhe ligjin procedural.

Gjithashtu, gjykata thekson se rezulton i provuar fakti se, Komisioni i Rithemelimit është krijuar dhe miratuar nga mbledhja e Kuvendit të Partisë Demokratike të datës 11.12.2021, i thirrur sipas parashikimeve statutore nga ¼ e anëtarëve/delegatëve të Kuvendit Kombëtar.

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka në favorin e tij një vendim të dhënë nga gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Agron Zhukri, i cili njohu Rithemelimin dhe Kuvendin e zhvilluar më 11 dhjetor 2021, në kulmin e përplasjeve mes Berishës, të cilin Lulzim Basha me një vendim të 9 shtatorit të të njëjtit vit e përjashtoi nga grupi parlamentar pas shpalljes ‘non grata’ nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /ZOOM.AL/