zoom

Lajme

UEFA njofton premiot për çdo fitore, barazim apo humbje. Ja sa përfiton Shqipëria (LISTA)

Kombëtarja shqiptare e futbollit, me kuali fikimin e arritur në “Euro 2024”, i ka sjellë 9.25 milionë euro të sigurta Federatës Shqiptare të Futbollit. Kjo shifër është minimalja dhe e njëjtë për 24 kombëtaret që do të marrin pjesë në këtë Europian.

Por, përfitimet nuk ndalen me kaq, pasi për çdo fitore në grup UEFA ka vendosur një bonus prej 1 milionë eurosh, ndërsa barazimi vlen 500 mijë euro. Kombëtarja shqiptare do të luajë ndeshjen e parë në Dortmund kundër Italisë, e cila është edhe kampione në fuqi e këtij kompeticioni. Më pas, në datën 19 qershor, në Hamburg kuqezinjtë do të sfidojnë Kroacinë.

Ndeshja e tretë e grupit do të luhet më 24 qershor në Dyseldorf me Spanjën. Nëse Shqipëria paraqitet mirë dhe arrin të befasojë duke kaluar grupin, pasi përveç dy vendeve të para që kalojnë më tej, nga gjashtë grupe gjithsej, kualifikohen për në fazën tjetër edhe 4 vendet e treta më të mira. Kështu, nëse kalohet grupi, ka një bonos shtesë prej 1.5 milionë eurosh. Ndërkohë cila kombëtare arrin në çerekfinale do të përfitojë 2.5 mln shtesë, ndërsa nga vajtja në gjysmëfinale arkëtohen edhe 4 milionë euro të tjera.

Finalisti që humbet përfiton 5 milionë euro, ndërsa fituesi i Europianit ka si bonos 8 milionë euro shtesë. Kështu, nga UEFA për këtë kompeticioni do të shpërndahen 331 milionë euro në total. Edhe pse pritej që kjo shifër të rritej disi, edhe këtë Europian do të jetë e njëjta shpërndarje parash si në Europianin e vitit 2020 që u zhvillua në 2021. Sakaq, një kombëtare nëse fiton tri ndeshjet e grupit dhe arrin të ngrejë lart edhe trofeun e Europianit, federata përkatëse gjithsej do të arkëtojë 28.25 milionë euro nga UEFA. /ZOOM.AL/