zoom

Lajme

Protesta te Parlamenti/ Pas Klevis Balliut shoqërohet edhe Sali Lushaj, ish-truproja e Berishës

Dhjetë persona janë shoqëruar nga Policia e Tiranës, të cilët ishin pjesë e protestës para Parlamentit, të organizuar nga Rithemelimi, mes tyre edhe drejtues organizatorë.

Protestuesit janë shoqëruar për aktet e dhunës dhe mosbindje ndaj policisë. Në mesin e të shoqëruarve janë edhe Klevis Balliu, Sali Lushaj, ish-truprojë e Sali Berishës dhe njëkohësisht babai i reperit Stresi, Arkimed Lushaj. Balliu u lirua më pas, teksa denoncoi se nuk po gjente dot në Komisariate mbështetësit opozitarë të shoqëruar.

Gjithashtu bëhet me dije se policia ka ndaluar edhe kryetarin e PD-Rithemelimit Dega Kashar. Mësohet se ata janë lënë të lirë pas shoqërimit ku fillimisht janë marrë në pyetje nga autoritetet. Gjatë protestës së thirrur nga opozita pas publikimit të investigimit të RAI3, qytetarët u përplasën me forcat e policisë, hodhën tymse e molotor, si dhe dogjën gomat e makinave.

“Erdhëm, paraqitemi me kënaqësi se nuk kemi bërë ndonjë krim. Më bën përshtypje sa shpejt dalin informacionet për të kapur protestuesit, Po të dilnin për Fushë Krujën, Elbasanin s’do kishim këtë situatë të agravuar krimnale. Sikur të vepronin aq shpejt me Veliajn, Olsi Ramën, Edi Ramën, Xhaçkën, etj, të cilët janë përgjegjës për vjedhjet makabre që u bëhen qytetarëve dhe për shkak të të cilave jemi popull9i me taksat më të larta, rrogat më të ulëta dhe pensionet më qesharake.

Kam një thirrje për policinë, sa herë të doni këtu do vijmë, po nuk na gjetët, do na gjeni te bashkia ose parlamenti se protestat nuk i ndalim. Garantoj çdo efektiv se aty nuk mblidhen kriminelë, por të rinj e të reja. Kriminelët fatkeqësisht janë brenda sallave dhe jo jashtë sallave”, u shpreh Balliu pas shoqërimit dhe lirimit të tij. /ZOOM.AL/