zoom

Lajme

Gjekmarkaj-Sula ironizojnë PS: Kush jeni ju, ata të SKY ECC! Kë deputet do vrisni? Manja: Do ju…

Kanë vijuar debatet me akuza mes palëve nga foltorja e Parlamentit, pas përjashtimit të deputetit Flamur Noka, i cili u zhvendos te protesta e opozitës më pas, para Kuvendit.

Deputeti i PD-së, njëherazi nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj nuk i ka kursyer ironitë dhe akuzat në drejtim të qeverisë ‘Rama’ dhe përfaqësuesve të mazhorancës në Parlament.

Nga foltorja e Kuvendit, Gjekmarkaj teksa theksoi se besonte që PS-ja ishte një aset kombëtar, u ndal te akuzat e Arben Ahmetajt. Ai tha se Arben Ahmetaj ishte pikërisht personi që zgjodhi Rama si numrin dy të qeverisë.

“Kam besuar dhe ende besoj që PS është aset kombëtar. Unë jam vetëm një individ përballë zërave publik që kërkojnë që e gjithë trupa politike në qendër dhe bazë të hetohet për lidhje të grupit të organizuar. Kush jeni? Partia që matet elektoralisht me kundërshtarët apo partia e atyre të EncroChat -it. Kush jeni, ata që marrin urdhra natën për t’i dridhur ditën?

Kush jeni partia që i djeg plehrat në incenetator apo incenetatori që djeg paratë dhe lë plehrat. Dikush ikën, dikush përshtatet, dikush hesht. Disa dorëzohen, disa rrinë. Aman pushoni pak o burrë, një herë që vjen 5 minuta. Demokraci ka kur qeveria ka frikë nga populli. S’kam pasur respekt për Arben Ahmetaj për tipologjinë e tij, apo për vanitetin e thellë adoleshentesk, apo servilizmin e shtyrë për karrierë, por ndoshta për këto cilësi ai u bë nr 2 i qeverisë së Ramës.

Rama për çdo deklaratë të tij ka përgjegjësi morale. Snobimi tregon përmasën e sikletit. Kush është shefi juaj? Bosi i lokalit apo kryeministri global? Kartelet apo paraja e tyre që blen vota?”, tha ai.

Kurse deputeti Dashnor Sula ka deklaruar se krijimi i komisionit hetimor anti-korrupsion po bëhet me qëllim heqjen e “Shpërdorimit të detyrës” si vepër nga Kodi Penal. Ai shtoi se kjo ndodh pasi çdo drejtues i lartë politik në Tiranë është i akuzuar nga Prokuroria e Posaçme anti-korrupsion për këtë vepër penale.

“Doni të hiqni shpërdorimin e detyrës nga Kodi Penal. Sepse të gjithë personat politikë drejtues të lartë i Tiranë është i akuzuar për shpërdorim detyre nga SPAK. Sepse kryhet shpërdorimi i detyrës është një vepër penale që parashikohet se kryhet me veprim ose mosveprim”, tha ai.

Ai foli edhe në lidhje me ligjin kundër lojërave të fatit, për të cilin tha se nuk zbatohet. “E sfidoj policinë ministrinë e brendshme, ligji për lojërat e fatit e dini që nuk po lihet bar lokal e restorant pa futur llotot, detyrohen”, tha ai.

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja i është përgjigjur Agron Gjekmarkajt, pasi ky i fundit tha se nuk po kuptohet qartë se kush është PS, pasi eksponentë të saj apo të lidhur me këtë parti kanë dalë në bisedat e Sky Ecc. Manja i tha Gjekmarkajt se PS është aset kombëtar dhe se do të jetë partia që votohet më së shumti nga shqiptarët. Manja iu bëri thirrje demokratëve, që të drejtojnë gishtin nga vetja, nëse duan që të jenë të besueshëm për shqiptarët.

“Ne zoti Gjekmarkaj jemi Partia Socialiste e Shqipërisë, që është aset kombëtar dhe do jetë partia e shqiptarëve për shumë kohë. Jemi partia e 10 milionë turistëve për vitin 2023 dhe kemi shndërruar Shqipërinë në destinacion për turizmin. Ne jemi partia që iu presim në tapetin elektoral më 2025 ju dhe këdo tjetër.

Shqipërinë e qeveris PS me kryeministër legjitim Edi Ramën, zgjedhur me votë të lirë dhe ju presim në zgjedhje. Ju jeni në të drejtën legjitime të thoni thashetheme, por shqiptarët nuk ju besojnë, sepse nuk keni kthyer gishtin nga vetja. Flamur, ktheje gishtin nga bluza. PS është partia e 850 mijë zemrave të shqiptarëve dhe më 2025 do ju mundim më thellë se më 2021”.

Kurse deputeti Sula iu rikthye akuzave dhe ironisë.

“Do doja të thoja e nderuar zonja kryetare, por sot më vjen turp ta them këtë term sepse mënyra si p drejton sot Kuvendi është turp. Opozira vetëm po kërkon të drejtat e veta, të tjerat ua kemi lënë ju, pushtet, pasuri, tendera, koncesione, mos u ngopshi. Po na lini fjalën, edhe atë doni të na merrni. Çfarë jeni ju PS dhe qeveria, nuk ju them narkos sepse kam frikë ta them. Ti gëzoni vendet e punës dhe parave, por do humbni kontrollin e nesër do caktoni kush do vritet. Qesh mor Toni se e dëgjove çfarë shkruanin? Do dali deputeti, do dali atje do vijë këtu, ta vrasim”, tha ai. /ZOOM.AL/