zoom

Lajme

Reportazhi i ‘RAI 3’/ Rithemelimi kërkesë për mocion me debat me Ramën

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi i ka kërkuar Kuvendit një kërkesë për mocion me debat, pas publikimit të emisionit “Report” në televizionin italian RAI 3.

Në shkresën zyrtare, Bardhi thekson se mocioni do të ketë në fokus “lidhjet e politikës me krimin dhe masat që duhen ndërmarrë për shkëputjen përfundimtare të këtyre marrëdhënieve, që po minojnë demokracinë dhe vendosin në rrezik stabilitetin e vendit”.
Letra që i drejtohet kryeparlamentares Lindita Nikolla, përmend edhe emra të tjerë të politikës shqiptare të cilët janë akuzuar për lidhje me kontigjentë të krimit, nga Sajmir Tahiri tek Vangjush Dako.

“Mediat ndërkombëtare kanë raportuar në mënyrë të përsëritur lidhjet e forta të politikanëve shqiptare me grupe kriminale. Në përgjimet e antimafias italiane të Katanzaros përmendej shprehimisht emri i kryebashkiakut të Tiranës. Erion Veliaj dhe kryeministrit Edi Rama, si dy pika kontakti për të siguruar leje ndërtimi për pastrimin e parave. Po ashtu në përgjimet e publikuara nga media gjermane BILD dolën telefonatat e kryeministrit Edi Rama, ish-ministrave Tahiri dhe Gjiknuri, ish-kryebashkiakut Dako me individë të përfshirë në veprimtari kriminale, të cilët ishin angazhuar në fushatat elektorale në Dibër dhe Durrës. Emri i kryeministrit Edi Rama ka dalë edhe në dosjen e quajtur “Shqiponja e Zezë, ku u arrestuan 40 persona për trafik ndërkombëtar droge nga autoritetet e drejtësisë belge”, shkruan grupi i demokratëve.

Ndër të tjera, Bardhi shprehet se faktet provojnë se sa thellë ka depërtuar krimi në jetën politike të vendit duke u shndërruar në një kërcënim serioz për demokracinë, shtetin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut.
Kërkesa vjen pas emisionit të një nate më parë, në Rai 3, ku ndër të tjera ishte edhe një deklaratë e ish-zv.Kryeministrit Arben Ahmetaj, i cili nga arratia akuzonte kryeministrin Edi Rama se kishte takuar në zyrën e tij përfaqësues të mafies.