zoom

Bota

Parlamenti gjeorgjian rrëzon veton e Presidentes dhe miraton ligjin për “agjentët e huaj”

Kryetari i Parlamentit të Gjeorgjisë, Shalva Papuashvili, tha se ka nënshkruar ligjin kontrovers për “agjentet e huaj”, i cili shkaktoi protesta masive në këtë vend tash e sa javë.

Presidentja pro-perëndimore e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili, i vuri veto ligjit, pasi u miratua muajin e kaluar. Por, vetoja e saj u përmbys në një votim parlamentar dhe, pastaj, ajo refuzoi ta miratonte masën.

Me Kushtetutën e Gjeorgjisë, nëse presidentja refuzon ta miratojë një ligj, pasi vetoja e saj anulohet nga ligjvënësit, i takon kryetarit të parlamentit ta bëjë një gjë të tillë.

Ligji – për të cilin kritikët thonë se është modeluar sipas një ligji rus, për të shtypur opozitën dhe zërat e tjerë kundër – kërkon nga OJQ-të që marrin më shumë se 20 për qind të fondeve nga jashtë, të regjistrohen si “agjentë të huaj me ndikim”.

“Emocionet janë zbutur dhe shumë nga qytetarët që u janë bashkuar protestave të opozitës radikale, tashmë e kanë parë se ligji, në fakt, do të rrisë përgjegjësinë dhe llogaridhënien e organizatave joqeveritare dhe të financuesve të tyre”, tha mes tjerash Papuashvili.Udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë paralajmëruar se zbatimi i këtij ligji do të ndikojë negativisht në aspiratat e Gjeorgjisë për anëtarësim në BE.

Masa është kritikuar edhe nga SHBA-ja, mbështetësja më e madhe e ish-republikës sovjetike në vitet e fundit./REL/