zoom

Aktualitet

Bie nga skela e ndërtimit, punëtori nga Saranda në gjendje kome. Niset me helikopter te Trauma

Një 62-vjeçar është plagosur rëndë në Sarandë, pasi ka rënë nga një skelë teksa punonte në një kantier ndërtimi.

Servet Ziflaj, është nisur paraditen e kësaj të diele me helikopter drejt spitalit të Traumës në Tiranë për mjekim më të specializuar, pasi gjendja shëndetësore është kritike.

Burime nga spitali i Sarandës bëjnë me dije se ai është paraqitur ditën e djeshme në urgjencën e Sarandës pasi kishte rënë nga një lartësi rreth 3-4 metra në kantierin ku punonte.

Fillimisht ai ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore, por ditën e sotme situata u përkeqësua dhe hyri në gjendje kome.

Mjekët dyshojnë për trauma të brendshme dhe dëmtim të disa organeve. Ky është rasti i 6 i aksidenteve në punë thuajse më shumë se një muaj.

Një hetim për rastin është çelur për të monitoruar kushtet e sigurisë në punë dhe mënyrën e zbatimit të tyre.