zoom

Lajme

Sot pritet shpallja e qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut, Kuvendi mblidhet të martën

Bisedimet për formimin e qeverisë së re janë ende në vazhdim. Bëhet e ditur se së shpejti mund të bëhet e ditur se është arritur një marrëveshje përfundimtare qeveritare.

Mediat tashmë po publikojnë informacione jozyrtare për ndarjen e portofoleve dhe për kryetarin e ri të mundshëm të Kuvendit. Përbërja e qeverisë mund të shpallet edhe sot, raportoi INA.

Seanca konstituive e përbërjes së re parlamentare është caktuar për të martën më 28 maj, ku koalicioni “Maqedonia juaj” – VMRO-DPMNE do të ketë 58 deputetë, koalicioni “Për një të ardhme evropiane” i udhëhequr nga LSDM do të ketë 18 deputetë, koalicioni Fronti Evropian i udhëhequr nga BDI do të ketë gjithashtu 18 deputetë, koalicioni VLEN 14, dhe E majta dhe ZNAM nga gjashtë deputetë.

Timço Mucunski, i cili është pjesë e grupit punues të VMRO-DPMNE-së për negociatat për qeverinë e re, ka thënë mbrëmë se janë afër marrëveshjes përfundimtare me koalicionin VLEN pa specifikuar detaje.

“Vendi i BDI-së është në opozitë, ne po e realizojmë atë që kemi premtuar. Jemi afër marrëveshjes me VLEN, nuk mund të them detaje, por është e sigurt se jemi afër një përgjigje përfundimtare”, tha Mucunski.

Sa i përket numrit të deputetëve në Kuvend, Mucunski tha se është e sigurt që do të kenë më shumë se 70 deputetë dhe se ka mundësi që koalicioni qeveritar të ketë 80 deputetë, por që në ditët në vijim do të shihet se si do të duket. Sipas tij, është e mundur të arrihet dhe po punohet që të kemi një shumicë prej dy të tretash për temat kyçe.

“Me VLENIN, mundësisht edhe me ZNAM, kemi dy të tretat. Qëllimi është ndryshimi i Ligjit për organizimin dhe punën e organeve të administratës shtetërore para formimit të qeverisë së re. Ky ishte një nga premtimet tona, sepse me këtë do ta modernizojmë qeverinë, dhe kështu do të zhdukim një numër të madh të institucioneve të panevojshme që nuk kanë treguar efikasitet dhe prandaj mendoj se do të arrijmë një konsensus të madh”, tha Mucunski.

Sipas tij, VMRO-DPMNE është parti që ka ofruar zgjidhje që duhet ta bëjnë të parashikueshëm procesin integrues në BE, duke theksuar se duhet të ketë edhe njëfarë sigurie. Lidhur me Marrëveshjen e Prespës, Mucunski tha se secila palë duhet t’i respektojë obligimet e veta dhe se edhe Greqia ka obligime. Kryetari i ASH-së, Arben Taravari, megjithatë tha se nuk është vendosur nëse do të jetë ministër në qeverinë e ardhshme. Ai ka konfirmuar se një pjesë e shkrimeve të disa mediave për ndarjen e dikastereve qeveritare dhe posteve zyrtare janë të sakta.

Sipas Taravarit, ndoshta sot ose nesër do të shpallet marrëveshja përfundimtare mes partnerëve të ardhshëm qeveritar.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, David Geer nga Tetova, tha dje se zgjedhjet demokratike dhe paqësore do të rezultojnë me një qeveri të re dhe ata, sikurse BE-ja, dëshirojnë të bashkëpunojnë me të gjitha partitë politike që do të ruajnë dhe avancojnë proceset integruese evropiane të vendit. Ai ka thënë se nuk do të komentojë negociatat e vazhdueshme për përbërjen e qeverisë së re.

Pyetjes së gazetarit nëse po bisedojnë me partitë dhe a do të avokojnë për integrimin e vendit në BE, Gir iu përgjigj se janë në komunikim me të gjithë, por se formimi i qeverisë nuk i përket BE-së. “Tani praktikisht të gjitha partitë politike gjatë fushatës zgjedhore vendosën një axhendë të qartë, një agjendë pro-BE dhe besimin e tyre se do ta çojnë vendin përpara drejt Bashkimit Evropian”, theksoi David Geer. /ZOOM.AL/