zoom

Bota

Ukraina njofton se zmbrapsi një sulm masiv me dronë të Rusisë, por situata në front mbetet kritike

Kundërajrorët ukrainas i rrëzuan të gjithë 24 dronët me të cilët Rusia e sulmoi vendin mëngjesin e së mërkurës, thanë Forcat Ajrore të Ukrainës në një komunikatë.

Dronët u shkatërruan mbi rajonet Mikolaiv, Dnipropetrovsk, Zaporizhja, Donjeck, Sumi dhe Odesa, thuhet në komunikatë.

Ndërkohë, këshilli i qytetit Sumi tha se linjat e rrymës dhe tubacionet e ujit u dëmtuan nga mbetjet e dronëve të rrëzuar dhe se kishte ndërprerje të furnizimit me rrymë në qytet. Ai tha se ka nisur puna për kthimin e furnizimit me ujë dhe rrymë për banorët.

Këtë pranverë, Rusia i ka rritur sulmet me dronë dhe raketa nëpër Ukrainë, duke i shkaktuar dëme të mëdha infrastrukturës së saj energjetike. Forcat ukrainase i rrëzuan të gjithë 90 dronët e llojit Shahed që Rusia i lëshoi në javën e fundit, tha më 20 maj zëdhënësi i ushtrisë ukrainase, Dmytro Lykhoviy.

Por presidenti Zelensky, edhe pse konfirmoi përparimin e forcave ukrainase në zmbrapsjen e armikut, theksoi se situata mbetej e vështirë në frontin e luftës. /ZOOM.AL/