Aplikacion
“Dua të dërgoj edhe një mesazh këtu, disa kilometra nga kufiri ynë, në Shkup dhe në qeverinë e re: në rast se ata përpiqen të kundërshtojnë thelbin e marrëveshjes në lidhje me emrin e shtetit dhe ta quajnë atë siç duan ta quajnë, atëherë do të duhet të dinë se rruga e tyre evropiane do të mbetet e mbyllur”, tha kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis gjatë fjalimit të sotëm në Lerin, njofton AIM.
Mitsotakis tregoi se “këtë nuk po e thotë me gëzim”, sepse siç tha ai, Greqia kërkon të ketë marrëdhënie të mira. “Qytetarët e Maqedonisë së Veriut nuk duan as tensione, as nacionalizëm. Uroj dhe shpresoj që ata të vijnë në vete dhe të kthehen në rrugën e duhur”, tha Mitsotakis.
Greqia është në periudhën parazgjedhore në prag të zgjedhjeve europiane të 9 qershorit dhe Mitsotakis ka zhvilluar sot pasdite një tubim parazgjedhor në Lerin në kuadër të vizitës së sotme në pjesën veriperëndimore të vendit.
Mediat shkruajnë se këtë herë, ndër të tjera, në fjalën e tij drejtuar qytetarëve, ai iu referua marrëdhënieve me RMV-në dhe Marrëveshjes së Prespës. /ZOOM.AL/