zoom

Aktualitet

Po përcillet me homazhe në “Teatrin Bylis” polici i vrarë Novruz Cenalia, autori ende në arrati

Po përcillet sot për në banesën e fundit efektivi i policisë së forcave “Shqiponja” në Fier, 28-vjeçari Novruz Cenalia.

Në hollin e Teatrit Bylis në Fier është vendosur arkmorti me trupin e pa jetë të efektivit të policisë ku do të kryhen homazhe nga familjare, koleg, qytetar dhe autoritetet për ti dhënë lamtumirën e fundit, ceremoni e parashikuar në orën 11:00. Homazhe pritet të kryejë edhe Ministri i Brendshëm, Taulant Balla dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku.

Më pas arkmorti me trupin e tij do te përcillet ne banesën e fundit ne varrezat e fshatit Baltëz. Efektivi i policisë Novruz Cenalia u vra dy ditë më parë në fshatin Baltez pas një konflikti që dyshohet i çastit, me 23-vjeçarin Azgan allias Asllan Mernica.

Kurse vrasësi i efektivit të ‘Shqiponjave’ vijon arratinë. Policia në kërkimet e saj ka pësuar zhvendosje të shumta gjatë 24 orëve të pas ngjarjes por pa mundur të bie në gjurmët e 23- vjeçarit nga fshati Sulaj i Fierit.

Dje, një sinjal i ardhur në Policinë e Fierit, njoftonte se një person që kishte ngjashmëri të mëdha fizike me të vrasësit ishte parë në Gjirokastër. U bë krehja e të gjithë zonave ku pretendohej, por asnjë e dhënë tjetër nuk u bë e mundur për identifikimin e tij. Policia pretendon se Azgan Mernica nuk ka dalë nga asnjë kufi shtetëror, duke iu referuar sistemit TIMS, ndonëse kalimet për në Greqi në fakt bëhen edhe jashtë pikave doganore e jo në një kalim të vetëm po nëpërmjet disa shtigjesh të shumta.

Megjithatë, policia ende beson se ai mund të gjendet mes Fierit dhe Gjirokastrës i strehuar tek ndonjë banesë e braktisur. Por sa më shumë orë kalojnë aq më shumë zvogëlohet mundësia për ta vënë në pranga, aq më tepër kur dihet se i riu është edhe i armatosur. Sipas të dhënave të nënës së tij, personit që ka qenë me të në makinë në momentin që ka kryer krimin e rëndë, mësohet se ai e ka çuar te shtëpia e dajës së tij dhe e ka lënë aty, duke lënë në makinë edhe telefonin, një mundësi për ta gjurmuar. Policia ka kryer një mori shoqërimesh, të gjitha njohje të të riut, por nuk ka mundur të vërtetojë asnjë ndihmë të dhënë prej tyre.

Po ashtu janë marrë dëshmitë e nënës, si dëshmitari kyç i asaj ngjarjeje tronditëse, të afërmeve të tjerë të Azganit dhe të disa personave që e kanë parë ngjarjen. Askush nuk di të thotë se çfarë bisede është zhvilluar mes tyre para se sa 23-vjeçari të nxirrte armën dhe të qëllonte me plumb në kokë Novruz Cenalinë, 28-vjeçarin, i cili sapo kishte dalë nga banesa për tu nisur në drejtim të Policisë së Fierit për të marrë turnin.

Historia e familjes së autorit, një ADN krimi

Duke parë më me detaje aktin e frikshëm që e çoi një të ri, vetëm 23 vjeç, t‘i marrë jetën një efektivi policie për një sherr banal, vetiu kërkohen shkaqe të shumta deri në familje. Prej dy ditësh, në lidhje me familjen Mërnica janë mësuar detaje të shumta që kanë të bëjnë me praninë në një mori ngjarjesh të rëndë. Përveç të vëllait, Kirit, 25 vjeç, i cili është dënuar tashmë për masakrën ndaj Florjan Selimit, të riut me origjinë nga Tropoja, thuhet se me probleme të mëdha me ligjin ka edhe xhaxhanë e tij, Robert Mërnica, 47 vjeç.

Ky i fundit është i shpallur në kërkim që prej prillit të vitit 2021, ku bashkë me Kirin, një tjetër nip të tijin dhe një shok të tyre tentuan të vrisnin Pashk Palnikajn. Edhe me Palnikajn sherri, sipas policisë dhe prokurorisë së Fierit ishte thuajse i njëjtë: përse na sheh?! Por të dhënat që kanë shoqëruar bëmat e familjes së autorit të vrasejs së efektivit të policisë i shtohet edhe një krim që sipas të dhënave të policisë e ka kryer më herët i ati i tij, Petrit Mernica, i cili sipas informacioneve ka vrarë kunatin e tij. Po ashtu mësohet se Sadri Selaci, personi që është arrestuar për masakrën e gushtit të 5 vjetëve më parë ku u vra në mënyrë barbare Selimi, është djali i vëllait të nënës së autorit. Pra Kiri Mërnica, sipas policisë e kreu krimin bashkë me djalin e dajës së tij.

Kërkimet

Kështu edhe pse kanë kaluar gati dy ditë nga vrasja e efektivit të policisë në Fier, Novruz Cenalia, ende nuk ka asnjë gjurmë për autorin e dyshuar, shtetasin Azgan Mërnica. Kontrollet e policisë tashmë janë shtrirë edhe më gjerë, pasi autori ka dyshime se është larguar drejt Gjirokastrës apo Tepelenës.

Burime nga policia e Fierit bëjnë me dije se një person i ngjashëm me autorin është pare ne Gjirokastër. Autoritetet po verifikon informacion e marrë dhe për ketë ka lajmëruar policinë e Gjirokastrës. Policia ngre dyshimet se personi mund te tentoje të kaloji kufirin. Ndërkohë kontrollet vijojnë ne fshatin Pojan. Kontrolle po behën ne stane, në tunele etj. Krimi i rëndë ndodhi rreth orës 13:15 të (13 majit), në fshatin Baltëz dhe ende mbetet mister arsyeja e vrasjes së efektivit, i cili ishte me uniformën e policisë dhe po shkonte të merrte shërbimin kur u përball në rrugë me 23-vjeçarin, i cili udhëtonte me një mjet tip Audi së bashku me nënën e tij.

“Aty kam dëgjuar një të shtënë arme”, ka deklaruar nëna e Azgan Mernicës, e cila po udhëtonte në mjet së bashku me të birin. Më pas, ajo rrëfeu se djali i saj u rikthye sërish në makinë dhe janë larguar në drejtim të banesës së vëllai të saj.

“Djali iku me vrap pa më thënë se ku do shkonte”, përfundoi gruaja dëshminë. Policia e Fierit ka marrë në pyetje 12 persona, mes tyre edhe prindërit e autorit të dyshuar, Petrit Mernica dhe Ajete Mernica. Ndërkohë policia ka dhënë shpërblim 30 mijë euro për çdo informacion që çon në kapjen e autorit të krimit. /ZOOM.AL/

Postime të lidhura