Aplikacion
Pista kryesore dyshohet ajo e një sherri të çastit në rrugë për parakalim, por nuk përjashtohet edhe ajo për shkak të detyrës apo hakmarrja për konflikte të vjetra, pasi dy palët kishin çështje të ngritura hetimore.
Por mbeten ende mister rrethanat e vrasjes së efektivit të “Shqiponjave” në fshatin Baltëz të Fierit, Novruz Cenalia, 28 vjeç. Policia pretendon se ngjarja ndodhi pas një konflikti të momentit.
Babai i policit, edhe ai efektiv në sallën operative, kishte qenë i akuzuar për vrasje në 1997 në Has, por nuk u gjetën prova, ndaj nuk përjashtohet as pista e hakmarrjes. Por edhe në 2005 raportohet se kanë pasur përplasje, duke u zhvendosur në Fier.
Ndonëse shkaqet mbeten të paqarta, autori i krimit vijon të jetë në arrati prej mesditës së djeshme, pavarësisht nga mobilizimi i Policisë së Shtetit, përfshirë edhe njësinë elitare, RENEA, kapja e tij nuk është bërë e mundur. Mësohet se policia ka lokalizuar vendin ku fshihet Asllan Azgan Mernica, 23 vjeç, por pa mundur ta zbulojë. Policia e Shtetit njoftoi se ofronte 3 mln lekë shpërblim për këdo që jep informacionin që çon në arrestimin e 23-vjeçarit.
Një tjetër detaj prekës i zbuluar është se Novruz Cenalia ishte martuar rreth një muaj më parë. Mesditën e djeshme ai kishte veshur uniformët e “Shqiponjave” dhe po i drejtohej komisariatit për të marrë shërbimin. Rrrugës, në fshatin Baltëz automjeti i tij ndalon dhe nga një makinë përballë hapet zjarr. Novruz Cenalia merr një plumb në kokë dhe për pasojë humb jetën në vendin e ngjarjes.
Dyshohet se Asllan alias Azgan Mërnica ka qenë së bashku me nënën e tij në makinë kur ekzekutoi efektivin. Pas vrasjes, bashkë me nënën e tij u largua për rreth 4 km nga vendngjarja dhe braktisi makinën në banesën e dajës së tij. Dëshmia e nënës së autorit pritet të hedhë dritë mbi arsyet e vrasjes së efektivit të policisë, Novruz Cenalia.
Autori i ekzekutimit të efektivit në Fier mësohet se është vëllai i një të dënuari me 19 vite burg për vrasje. Ngjarja ku është përfshirë vëllai i Asllan alias Azgan Mernicës ka ndodhur më 13 gusht të vitit 2019 në Fier. Kiri Mernica dyshohet se në bashkëpunim me e Sadri Selaci masakruan me thikë të riun Florian Selimi dhe më pas trupin e tij e hodhën në një kanal ku u gjet pas disa orësh kërkime.
Në janar 2023 Gjykata e Fierit i ka dënuar me 19 vite burg dy autorët, Kiri Mernica dhe Sadri Selaci. 23-vjeçari Florian Selimi ishte goditur me thikë në qafë dhe trupi i tij ishte tërhequr për disa metra nga vendngjarja. Apeli e ka lënë vendimin në fuqi. Sipas Policisë, vrasja është kryer më datë 11 gusht, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është gjetur mëngjesin e 12 gushtit në një kanal. /ZOOM.AL/